Sulmet ndaj furrave të shqiptarëve në Vojvodinë ishin të organizuara

Drejtori i Qendrës për regjionalizëm, Aleksandar Popov vlerësoi sonte se sulmet ndaj furrave të shqiptarëve në Vojvodinë nuk kanë qenë spontane, por të organizuara dhe të urdhëruara, në mënyrë që gjoja të kthehet dinjiteti i humbur pas incidentit në ndeshjen Serbi-Shqipëri. 

Lajme

24/10/2014 00:06

Duke folur për këtë temë në Televizionin e Vojvodinës, Popov tha se këtë e ka treguar edhe fakti se “egërsia ka zgjatur vetëm tre ditë, kurse gjatë asaj kohe askush asgjë nuk ka ndërmarrë”, transmeton lajmi.net.

“Po, pronari i furrës Evropa ka kërkuar mbrojtjen nga policia dhe ajo nuk i është ofruar, ndërkohë që e dimë shumë mirë që para disa muajve Novi Sadi ka futur në punë 200 policë të rinj për të shtuar sigurinë publike”.

Ai shtoi se nuk është e rastit që këto incidente kanë ndodhur në Vojvodinën shumëkombëshe, pasi mesazhi duhej të ishte që “ja, në Vojvodinë njerëzit nuk janë edhe aq tolerantë sa mendohet”.

Ai vlerësoi se “disa shërbime dhe parti politike” në Serbi krijojnë grupe ekstremiste, në mënyrë që ato ti përdorin si “grusht goditës” në çaste të caktuara.

Ai shtoi se sot në Novi Sad është mbajtur një tubim antifashist. “Porosia nga ky tubim për shqiptarët ishte që ne nuk jemi të gjithë të tillë si disa duan të na paraqesin. Porosia për vojvodinasit ishte që të mos lejojnë gjëra të tilla, pasi ne nuk jemi të tillë, kurse për autoritetet që të bëjnë punën për të cilën paguhen nga qytetarët. Pushteti duhet ta bëjë shtetin juridik dhe që institucionet të funksionojnë”, përfundoi Popov.