Sulmet ajrorë vranë 553 militantë

Që prej një muaji, kur ka filluar fushata e sulmeve ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj caqeve të “Shtetit Islamik” në Siri, janë vrarë 553 persona, shumica e tyre militantë të organizatës terroriste të quajtur “Shtetit Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS).

Bota

23/10/2014 16:12

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me bazë në Londër, ka njoftuar se 464 të vrarë ishin anëtarë të “Shtetit Islamik”, ndërsa 57 të tjerë ishin anëtarë të degës së Al Qaedas, të quajtur Al Nusra.

Sipas këtij observatori, sulmet ajrore kanë vrarë edhe 32 civilë sirianë që nuk kishin të bëjnë me luftën civile në këtë shtet, e cila filloi në muajin mars të vitit 2011 pas protestave të organizuara nga opozita për largimin e presidentit Bashar al Assad.

Kryengritja e marsit të vitit 2011 në Siri pas pak muajsh degjeneroi në luftë interesash klanore e sektare, duke marrë jetën e më shumë se 180 mijë siranëve, sipas statistikave të OKB-së.

Rusia dhe Kina përmes kërcënimit me vetos në Këshillin e Sigurimit penguan ndërhyrjen e Perëndimit për të ndalur gjakderdhjen në vitin 2011, por në shtator të këtij viti, Shtetet e Bashkuara vendosen të luftojnë nga ajri ISIS-in, organizatën që pas masakrimit të mbi 10 mijë civilëve, shpalli kalifatin e saj në territoret e pushtuara në Siri dhe Irak.      

Shumica e militantëve të ISIS-it janë vrarë përreth qytetit sirian të populluar me kurdë, të quajtur Kobani, 200 metra larg kufirit me Turqinë, në përpjekje për të pushtuar këtë pikë strategjike.  

Ushtria amerikane ka paralajmëruar se militantët e “Shtetit Islamik” vazhdojnë të jenë ‘kërcënim’ për Kobanin, edhe pse luftëtarët kurdë të ndihmuar nga SHBA-të kanë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit.

Sulmet ajrore amerikane, të cilat janë përkrahur nga 50 shtete, në mesin e tyre edhe dhjetë arabe, përveç vrasjes së militantëve i kanë shkatërruar qindra makineri “Shtetit Islamik” dhe si rrjedhojë është ngadalësuar ofensiva e terroristëve në përpjekje për të zgjeruar territorin e kalifatit të tyre.

Video1: Një përmbledhje e vogël rreth betejës së madhe në Kobani