Sulm me raketa në afërsi të ambasadës amerikane në Bagdad

Disa raketa kanë goditur bazën ku është i vendosur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që gjendet në afërsi të ambasadës amerikane në Bagdad, njoftuan autoritetet.

Bota

16/02/2020 12:36

Sipas autoriteteve, nga këto sulme ka pasur dëme të vogla materiale dhe asnjë person nuk është lënduar.

Koloneli Myles B.Caggins III, zëdhënës i operacioneve ushtarake të SHBA-së në Irak, tha se raketat kanë goditur bazën në orën 3:30 sipas kohës lokale.

Sinjalet paralajmëruese janë aktivizuar menjëherë në ndërtesën e ambasadës, por ende nuk dihet se sa raketa janë hedhur dhe ku kanë goditur saktësisht. Ndërtesa e ambasadës amerikane gjendet afër bazës ushtarake të koalicionit, përcjell rel.

Deri më tash asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këto bombardime.

Në të kaluarën, Uashingtoni ka fajësuar milicitë e mbështetura nga Irani për një seri të sulmeve me raketa ndaj aseteve amerikane në Irak.

Milicitë janë zotuar se do të hakmerren, pasi SHBA-ja më 3 janar vrau në një sulm me dron gjeneralin iranain, Qasem Soleimani.