Sulm me bombë në shtëpinë e një biznesmeni shqiptar në Shkup
Një detonim i fuqishëm është dëgjuar natën e kaluar në lagjen Tophanë të Shkupit, i shkaktuar nga një bombë e hedhur në oborrin e shtëpisë së një biznesmeni shqiptar, lajmëruan mediat e Maqedonisë.

Lajme
Në raporte përmenden shtëpitë e biznesmenëve Premitm Reka dhe Rexhep Shurdhani, ndërsa ceket se në fqinjësi jeton edhe zëvendëskryeministri në Qeverinë maqedonase, i ngarkuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi.
Burime nga partia e Xhaferit, Bashkimi Demokratik për Integrim, kanë deklaruar për mediat se incidenti nuk ka të bëjë me zëvendëskryeministrin, raportojnë mediat shqiptare në Maqedoni.
Në vendngjarje ka dalë policia, e cila ka zhvilluar hetime.
Raportohet se nuk ka të lënduar dhe se janë thyer dritaret e një shtëpie dhe është dëmtuar një automobil.