Sulm mashtrues i Rektoratit
Qëndrim Gashi thotë se ai është zgjedhur profesor i asocuar në përputhje me statusin e UP’së. Nuk pranon të flas për cilësinë e punimeve të tij, sepse ka frikë se do të hidhërohej “historiani”. Reagon edhe Dukagjin Pupovci.

Lajme
Sot Rektorati i Universitetit të Prishtinës nëpërmjet një kumtese ka thënë se profesorët më të zëshëm kundër Rektorit Ibrahim Gashi, në fakt janë “shkelësit më të mëdhenj” të statutit të UP’së.
Në mesin e profesorëve të akuzuar, që njëherësh është edhe kritikuesi më i zëshëm i menaxhmentit aktual të UP’së, është edhe profesori Qëndrim Gashi.
Rektorati ka akuzuar se profesor Qëndrim Gashi është zgjedhur në thirrjen profesor i asocuar në kundërshtim me statusin e UP, duke tejkaluar kështu thirrjen profesor asistent. Ai thuhet se nuk ka plotësuar kushtet sepse nuk ka pasur së paku tre punime shkencore të publikuara në revista shkencore.
Në një deklaratë të dhënë për lajmi.net Qëndrim Gashi e falënderon “menaxhmentin mashtrues” të UP’së, që po ia pasuron sedrën e tij akademike me “minerale indiane”.
Gashi thotë se për cilësinë e punimeve të tij nuk po flet, sepse druhet se do të hidhërohej “historiani”.
“Sulmi mashtrues nga menaxhmenti i UP-së ma pasuron sedrën akademike me minerale indiane, për çka i falënderoj”.
“Për shkak të opinionit, kush të dojë le t’i shikojë punimet e mia në: http://qendrimgashi.com/Papers.html”.
“Edhe e shihni sa punime i kam pasur deri në vitin 2010, kur jam kthyer në Prishtinë”.
“Nuk po flas për cilësinë e tyre sepse do të më hidhërohej historiani”.
Qëndrim Gashi thotë se ai në vitin 2010 kishte pranuar që të bëhej profesor i asocuar në përputhje me Statusin.
“Departamenti ka dashur të më zgjedh profesor të rregullt sepse vija prej institucioneve dhe universiteteve jomodeste në vitin 2010, por unë pranova të bëhem profesor i asocuar, në përputhje me Statutin, sepse kisha doktoruar në vitin 2008”.
“Ndoshta rektori në largim mendon se unë ishte dashur ta fillojë punën në UP si asistent që shes nota, por ja që kjo nuk ndodhi”.
“I falënderoj profesorët e mi në Prishtinë, Kembrixh e Cikago që më kanë ndihmuar në karrierën time akademike”.
“Tash, prapë shtrohet pyetja bazike: Si po ndodh që e kemi një rektor mashtrues?”, tha për lajmi.net Qëndrim Gashi.
Ndaj deklaratës së Rektoratit të UP’së ka reaguar edhe i apostrofuari tjetër në këtë deklaratë, Dukagjin Pupovci.
“Çka të them tjetër, përveç t’i publikoj faksimilet e tri punimeve me recension ndërkombëtar që i kam pasur të publikuara deri në vitin 2004, kur jam zgjedhur për herë të fundit”.
“Në fakt, unë prej vitit 2000 nuk jam në marrëdhënie të plotë pune në UP, prandaj për mua nuk çon fare peshë në çfarë thirrje akademike ndodhem”, ka thënë Pupovci.
Një punim shkencor i Dukagjin Pupovcit