Sulm kundër Zgjedhjeve

Shefi i Misionit të OSBE'së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, dënon sulmin në Veri duke e quajtur atë të neveritshëm. Thotë se këto akte të frikësimit të njerëzve ndërhyjnë në procesin zgjedhor.

Lajme

18/10/2013 14:30

Shefi i Misionit të OSBE’së në Kosovë, Ambasadori Jean- Claude Schlumberger, ka dënuar sulmin e sotëm në Mitrovicë të Veriut, ku u sulmua shtëpia e familjes Kostic. Anëtarët e kësaj familjeje Aleksandra dhe Gjorgje Kostic janë kandidatë për kuvend komunal në Mitrovicën e Veriut për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Ambasadori Schlumberger e quajti këtë sulm të papranueshëm dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor.

“E dënoj këtë sulm të neveritshëm në mënyrën më të ashpër. Ky është sulmi i fundit në një seri incidentesh që kanë ndodhur në javët e fundit.”

“Këto akte të frikësimit e minojnë sigurinë e njerëzve që jetojnë në Veri të Kosovës dhe ndërhyjnë me procesin zgjedhor. Ato janë të papranueshme dhe nuk mund të tolerohen.”

Ambasadori bëri thirrje te institucionet relevante që urgjentisht ky rast të hetohet dhe autorët të sillen përpara drejtësisë.