Suksesi i radhës i Qeverisë Kurti: Kampionë në inflacion, të fundit në perspektivë

Shkruan: Adri Nurellari Ja edhe një “trofe” tjetër në duart e Kurtit, fiks në kohë për zgjedhjet e 7 qershorit. Mund të jemi të fundit në Ballkanin Perëndimor për integrim europian, për njohje, për investime serioze e për perspektivë të të rinjve … por, të paktën diku jemi kampionë: në inflacion. Të dhënat e fundit…

Opinion

18/05/2026 14:36

Shkruan: Adri Nurellari

Ja edhe një “trofe” tjetër në duart e Kurtit, fiks në kohë për zgjedhjet e 7 qershorit. Mund të jemi të fundit në Ballkanin Perëndimor për integrim europian, për njohje, për investime serioze e për perspektivë të të rinjve … por, të paktën diku jemi kampionë: në inflacion. Të dhënat e fundit të disponueshme tregojnë se Kosova kryeson me 6.7%, dukshëm mbi Maqedoninë e Veriut me 4.9%, Bosnjën me 3.4%, Malin e Zi me 3.1%, Serbinë me 2.8% dhe Shqipërinë me 2.6%. Kjo është në tjetër “fitore historike” apo arritje që me siguro do të betonizojë triumfin elektoral të Kurtit në zgjedhjet që po afrojnë.

Ky inflacion nuk mund të justifikohet kurrsesi me “faktorë të jashtëm” sepse Eurozona e kishte rreth 2.4% më 2024 dhe 2.1% më 2025, ndërsa Kosova pothuajse trefish më lart. Madje, edhe Shqipëria, e cila prej vitesh kritikohet ndërkombëtarisht për korrupsion, klientelizëm dhe probleme serioze strukturore ekonomike, rezulton me inflacion dukshëm më të ulët se Kosova. Kjo e bën edhe më të vështirë justifikimin se problemi vjen vetëm nga krizat globale apo faktorët e jashtëm, sepse vendet e rajonit po përballen me të njëjtat sfida, por jo me të njëjtin nivel dështimi ekonomik.

Inflacioni i lartë padyshim që lidhet me probleme të brendshme strukturore, pra është prodhim vendor i keqqeverisjes Kurti. Ai shkaktohet prej varësisë ekstreme nga importet; prodhimit vendor të dobësuar; industrisë e bujqësisë me kosto të larta energjie e mungesë ujitjeje apo emigracionit galopant që ka rritur kostot dhe mungesat e fuqisë punëtore. Në të njëjtën kohë, qeveria mbledh gjithnjë e më shumë taksa e ka buxhet më të madh, por në vend të investimeve serioze publike në prodhim, energji, ujitje apo industri, ekonomia ushqehet me subvencione dhe “lëmoshë” afatshkurtër elektorale që nuk zgjidhin asnjë problem strukturor. Qeverisja Kurti aktualisht është fokusuar më shumë te menaxhimi i perceptimit sesa te prodhimi ekonomik real. Pra, ka formësuar një ekonomi të bazuar te propaganda, konsumi dhe importi dhe jo te prodhimi, eksporti dhe investimi afatgjatë.

Për më tepër, inflacioni po ushqehet edhe nga mungesa e konkurrencës reale, sepse tregu në shumë sektorë po dominohet nga një grusht kompanish të mëdha me lidhje qeveritare, të cilat praktikisht po diktojnë çmime më të larta se në Bashkim Evropian. Kurti erdhi në pushtet para shtatë vjetësh duke denoncuar oligarkët e duke premtuar se do të luftonte kapjen e tregut. Sot, pas gjithë retorikës revolucionare opozitare, duket se partneriteti me ta i është bërë më i leverdishëm sesa përballja. Për sa kohë sigurohen fonde, mbështetje dhe vota, sytë mbyllen para karteleve, monopoleve, mungesës së konkurrencës dhe çmimeve që ngjiten çdo muaj mbi kurrizin e qytetarëve.

Për qytetarin, kjo nuk është statistikë apo term abstrakt, por momenti kur hyn në supermarket dhe kupton se paga nuk mjafton më si dikur për të mbushur shportën. Inflacioni është pensionisti që numëron centët te kasa, prindi që mendon dy herë para se të blejë diçka për fëmijën, dhe familja që pret me ankth paratë nga fëmijët në diasporë. Remitancat po përdoren si “anestezi ekonomike”. Sepse, po mbajnë konsumin gjallë dhe po fshehin krizën reale strukturore të ekonomisë. Pa diasporën, shumë nga dobësitë do të ishin shpërthyer shumë më herët. Mirëpo, edhe eurot e fituara me djersë në Gjermani apo Zvicër sot vlejnë më pak përballë çmimeve që rriten pa mëshirë. Për familjet e varura nga remitancat, kjo do të thotë më pak ushqime në tavolinë, më pak siguri, më pak cilësi jete e më pak shpresë. Po ashtu, shton ndjesinë e hidhur se pavarësisht sa punon apo sakrifikon, jeta në Kosovë po bëhet çdo muaj më e rëndë dhe kurbeti për më shumë njerëz.

Këtu duhet sqaruar se inflacioni në Kosovë është shumë më brutal sesa në vendet e pasura europiane, sepse godet një shoqëri me paga të ulëta dhe ekonomi pothuajse totalisht të varur nga importet. Në shtetet me paga të larta, shumica e njerëzve pasi paguajnë ushqimet, energjinë dhe qiranë, u mbeten ende para për kursime, pushime apo gjëra të tjera. Në Kosovë, shumë familje e harxhojnë pothuajse gjithë pagën vetëm për bukë, vaj, qumësht, karburant, energji, barna dhe qira. Në Gjermani apo Zvicër, edhe kur çmimet rriten, familjeve u mbetet ende boll hapësirë financiare për kursime, argëtim apo konsum tjetër. Ndërsa në Kosovë, një pjesë e madhe e qytetarëve i shpenzojnë pothuajse të gjitha të ardhurat vetëm për nevoja bazike. Kjo do të thotë se kur rriten çmimet, qytetari këtu nuk heq dorë nga luksi, por nga gjërat bazë të jetës. Inflacioni në Kosovë nuk prek rehatinë, por sofrën e familjes.Prandaj, teksa makineria e propagandës po bëhet gati të ndezë motorët për 7 qershorin dhe të premtojë suksese të tjera imagjinare, realiteti në xhepat e qytetarëve flet vetë. Kosova sot nuk po garon me rajonin për zhvillim, por për shtrenjtim. Premtimi i madh për çlirimin e tregut nga oligarkët dhe për një jetë më të dinjitetshme përfundoi në një aleancë të heshtur që ushqen monopolet dhe zbraz frigoriferin e familjeve kosovare. Më 7 qershor, Kurti mund të kërkojë votën për “fitoren e radhës”, por përballë tij do të jetë një popull që sakrificën e ka përditshmëri, ndërsa jetesën e papërballueshme e ka dhuratë nga pushteti i tij.