Suhareka, Klina e Malisheva apelojnë që të ndërpritet greva

Edhe tri komuna të tjera kanë kërkuar që greva e SBASHK-ut të ndërpritet dhe të rifillojë mësimi.

Lajme

21/01/2019 07:43

Pas Prishtinës, Mitrovicës, Rahovecit, Junikut, Deçanit, Obiliqit, Hanit të Elezit, Vitisë e Mamushës, edhe kryetarët e komunës së Suharekës, Malishevës dhe Klinës kanë bërë apel te mësimdhënësit që sot të fillojë mësimi, raporton lajmi.net.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, u ka bërë apel mësimdhënësve që të rifillojnë mësimin, pasi që sipas tij, vendimi i qeverisë për rritjen e pagave është hap i rëndësishëm.

“Si Komunë e Suharekës apelojmë tek mësimdhënësit, që të rifillojnë nesër (sot) procesin mësimor dhe që nxënësit të mos e humbasin mësimin. Konsiderojmë se Qeveria në këtë moment ka reflektuar ndaj kërkesave të grevistëve, duke e konsideruar si hap të rëndësishëm në ngritje të pagave. Secili ka të drejtë të kërkoj dhe të promovojë të drejtën e tij, mirëpo mendoj se në këtë fazë duhet të mendojmë më shumë për të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka shkruar Muharremaj në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, përcjell lajmi.net.

Apel për rifillimin e mësimit ka bërë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Begaj, përmes Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, iu ka bërë ftesë të gjithë mësimdhënësve të Komunës së Malishevës, që nga dita e nesërme, e hëne 21 janar 2019, të fillojnë procesin mësimor në gjysmëvjetorin e dytë.

“Pas propozimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për rritje të pagave për mësimdhënësit, ju bëjmë apel të gjithë mësimdhënësve, që nga dita e nesërme ti kthehen procesit mësimor”, thuhet në apelin e komunës së Malishevës drejtuar mediave, raporton më tutje lajmi.net.

Se vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave është reflektim ndaj kërkesës së mësimdhënësve, e ka thënë edhe kryetari i komunës së Klinës Zenun Elezaj.

Elezaj pas këtij vendimi ka apeluar te mësimdhënësit që të rifillojnë sot mësimin.

“Si Kryetar i Komunës së Klinës apeloj tek mësimdhënësit që nga nesër (sot) të filloi procesi mësimor në të gjitha shkollat e Komunës së Klinës. Vlerësoj vendimin e qeverisë për rritjen e pagave, është reflektim ndaj kërkesave të grevistëve dhe shpresoj në vazhdimin e dialogut në mes të qeverisë dhe SBASHK-ut që në një të ardhme të afërt të shikohet mundësia për rritjen në vlerën e kërkuar. Shpresoj që nesër mësimdhënësit të fillojnë procesin mësimor në mënyrë që nxënësit të mos humbasin më shumë”, ka shkruar Elezaj në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas takimit që mbrëmë ka pasur me kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jarashaj ka bërë të ditur se Qeveria ka vendosur që t’i ndajë 20 milionë euro në vit për mësimdhënësit.

Haradinaj ka bërë të ditur se ka propozuar që paga për mësimdhënësit në shkollat e mesme paga të jetë 597.80 euro nga 523 euro sa ka qenë deri më tani, pra 74 euro më shumë, raporton më tutje lajmi.net.

Për mësimdhënësit në shkollat fillore, Haradinaj ka propozuar që paga të jetë 525.80 euro nga 479 euro sa ka është momentalisht, pra të ketë rritje të pagës prej 46 euro.

Ndërsa për mësimdhënësit në arsimin parashkollor Haradinaj ka propozuar që paga të jetë 501.90 euro nga 447 euro sa është momentalisht, pra të ketë rritje për këtë kategori prej 54 eurove.

Mirëpo, ky vendim i Haradinajt është cilësuar si jo i drejtë nga SBASHK-u dhe në këtë mënyrë kjo Sindikatë ka vendosur që të vazhdohet greva në tërë Kosovën.

Se a do të fillojë mësimi sot në këto komuna, kjo mbetet të shihet. /Lajmi.net/