Suedia aplikoi dje, por cili është qëndrimi i saj për anëtarësimin e Kosovës në NATO? Flet ambasadorja suedeze

Suedia mbështet të drejtën e çdo shteti, përfshirë edhe të Kosovës, në përcaktimin në mënyrë të pavarur të politikave të sigurisë. Kështu ka deklaruar ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny.

Lajme

19/05/2022 19:37

Ambasadorja Ahliny këto deklarata i ka bërë me anë të një prononcimi me shkrim për lajmi.net të mërkurën. E pyetur për pozicionin e Suedisë kundrejt anëtarësimit të Kosovës në NATO, ajo ka thënë se meqë Suedia dorëzoi dje aplikimin në Aleancën Veri-Atlantike, kjo e fundit nuk ka ndonjë qëndrim për kërkesën specifike të liderëve institucionalë kosovarë që të bëhen pjesë e organizatës politiko-ushtarake.

“Siç e dini, Suedia e dorëzoi kërkesën për anëtarësim në NATO sot në mëngjes, dhe për këtë arsye ne nuk jemi ende në gjendje të mbajmë qëndrim për kërkesën specifike të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ahliny me shkrim për mediumin të mërkurën.

“Në përgjithësi, Suedia po mbështet plotësisht të drejtën e çdo shteti për të përcaktuar në mënyrë të pavarur politikën e sigurisë dhe të drejtën për vetëmbrojtje, përfshirë masat e sigurisë që duhet të ndjekë”, ka theksuar ajo.

Teksa agresioni rus kundër Ukrainës po vazhdon dhe Evropa po përballet me krizën më të madhe të sigurisë në dekadat e fundit, institucionet e Kosovës kanë shtuar përpjekjet që t’iu bashkohen strukturave të aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, duke nisur nga Partneriteti për Paqe.

Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, i krijuar më 1994, u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim.

Sipas NATO-s, Partneriteti për Paqe ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.

Programi përfshin pothuajse çdo fushë të aktivitetit të NATO-s, si: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis. Në përgjithësi janë afër 1,600 aktivitete.

SHBA-ja gjatë prillit ka bërë të ditur se mbështet anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike, ndonëse ka rikujtuar se procedurat për anëtarësim janë komplekse.

Teksa Shtetet e Bashkuara mirëpresin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, përkujtojnë se kërkesat për anëtarësim janë komplekse dhe kërkojnë një qasje afatgjatë dhe qëllim-qartë”, ka thënë ambasada amerikane në një përgjigje për lajmi.net.

Kosova ka marrë mbështetje edhe nga Britania e Madhe, Turqia e Letonia për anëtarësim në aleancën ndërkombëtare ushtarake. Krerët institucionalë kanë kërkuar mbështetje edhe nga shtetet fqinje për aspiratën në NATO.

Përkundër që Kosova nuk është pjesë e NATO-s, në vend operojnë 3.770 trupa në kuadër të KFOR-it. Kështu është bërë e ditur në raportin e fundit vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.

Sipas këtyre statistikave, në Kosovë janë prezent trupa prej 28 vendeve anëtare për mision paqeruajtës.

Italia, duke iu referuar të dhënave zyrtare të KFOR-it, është shteti anëtar me më së shumti trupa në Kosovë (638). Pas Italisë vjen SHBA-ja, me 635 trupa.

Vendin pasues pas SHBA-së për kah numri i trupave prezent nëpër territorin e Kosovës e zë Hungaria me 469 forca të armatosura.

Përveç SHBA-së, në Kosovë operojnë edhe trupa të fuqive të mëdha, sikundër janë: Gjermania me 68 trupa dhe Britania e Madhe me 35 sosh.

Në Kosovë ka ushtarë edhe të shteteve të rajonit në kuadër të misionit paqeruajtës, siç është Shqipëria me 25 trupa, Mali i Zi me një ushtar dhe Maqedonia e Veriut me 64 ushtarë. /Lajmi.net/