‘Suarezmania’ gati të shpërthejë

Barcelona shpreson në uljen e dënimit për sulmuesin Luis Suarez në mënyrë që ai të ketë të drejtë të prezantohet në Camp Nou dhe të përdoret për aktivitete të marketingut.

Sport

11/08/2014 10:18

Camp Nou përgatitet për javën e madhe të Luis Suarezit.

Siç shpreson Barcelona, nëse Gjykata Arbitrare për Sport (CAS) konfirmon uljen e dënimit për sulmuesin uruguaian, ai mund të prezantohet në stadium dhe mund të përdoret si fytyrë e aktiviteteve të marketingut, raporton “El Mundo Deportivo”.

Dhe, pikërisht në këtë moment do të fillonte e ashtuquajtura ‘Suarezmania’. Suarez vazhdon të jetë i dënuar nga FIFA pas kafshimit ndaj mbrojtësit të Italisë, Giorgio Chiellini në ndeshjen e rrethit të tretë në Grupin D të Kampionatit botëror.

Por, Barcelona shpreson se ankesa në CAS do të rezultojë e suksesshme dhe futbollisti së paku mund të prezantohet në Camp Nou dhe të fillojë aktivitetet e para me të në departamentin e marketingut.

E, kjo pritet të zgjojë interesim të madh tek tifozët.