Suarez ‘kërcënon’ Italinë

Pas dy golave në fitoren 2:1 ndaj Anglisë, sulmuesi i Uruguait, Luis Suarez thotë se ka filluar të mendojë për ballafaqimin vendimtar të Kombëtares së tij në Grupin D kundër Italisë.

Sport

20/06/2014 01:10

Me golat e tij e mposhti Anglinë, por sulmuesi i Uruguait, Luis Suarez, ka filluar të mendojë për ballafaqimin e ardhshëm të Kombëtares së tij, kundër Italisë.

Ylli i Uruguait shënoi të dy golat në fitoren 2:1 ndaj Anglisë në rrethin e dytë të Grupit D në Kampionatin botëror, duke e rikthyer Kombëtaren e tij në garë për kualifikim të mëtutjeshëm.

Dhe, Suarez, që është shprehur i lumtur me paraqitjen dhe golat që realizoi, pas rikthimit nga lëndimi, ka thënë se menjëherë do të mendojë për ballafaqimin vendimtar me Italinë.

“Tani dua të kënaqem me këtë moment, e sidomos pas gjithë kritikave që kemi marrë pas humbjes nga Kosta Rika. Por, duhet të pushojmë pak dhe të mendojmë menjëherë për Italinë”, deklaroi Suarez pas ndeshjes.

“Kemi vuajtur, por ishte me rëndësi të fitojmë”, u shpreh ai.