Suarez: Ja pse erdha në Barcelonë

Luis Suarez ka zbuluar arsyen pse vendosi t’i bashkohet Barcelonës nga Liverpool. Sulmuesi uruguaian thotë se gjithmonë ëndërroi të luajë në Camp Nou.

Sport

27/08/2014 17:51

Luis Suarez ka bërë të ditur se nuk i konsideroi fare ofertat nga klubet tjera para se t’i bashkohej Barcelonës. Arsyeja ishte e thjeshtë, “ëndrra” e tij ishte të luajë për gjigantin katalan, me Lionel Messin.

Ylli uruguaian kompletoi transferimin me vlerë prej 81 milionë euro në Camp Nou nga Liverpool, më herët gjatë këtij afati kalimtar të verës, pas një kohe kur dukej se ishte duke shkuar drejt kalimit në Real Madrid.

Mirëpo, Suarez ka shpjeguar se gjithmonë e deshi Barcelonën.

“Kur kisha kontakt me Barcelonën dhe u njoftova për interesimin e tyre, nuk kam hezituar për asnjë moment sepse ishte ëndërr e imja, dëshirë e imja”, deklaroi Suarez gjatë një interviste për “Barca Fans”.

“Kam refuzuar opsione tjera sepse ëndrra ime ishte të luajë këtu. Pas shumë vitesh në Evropë, së pari me Ajaxin e pastaj në Liverpool, karriera ime ishte në zhvillim dhe tani ka arritur kulmin duke ardhur në klubin më të mirë në botë. Dua të fitoj tituj. Gjithmonë jam kënaqur duke shikuar futbollistët e këtushëm, që tani i kam bashkëlojtarë”, u shpreh ai.