Stuhia e dëborës zë në befasi SHBA-të dhe Kanadanë

Zona të Kanadasë dhe disa rajone në perëndim të Shteteve të Bashkuara u goditën nga një stuhi e ftohtë shoqëruar me reshje të forta dëbore.

Bota

12/11/2014 09:11

Temperaturat pësuan rënie me 22 gradë celcius brenda pak ditëve, si pasojë e masave ajrore të ftohta të shkaktuara nga një stuhi e fortë që goditi Alaskën më herët.

Dëbora arriti në 30 centimetër në disa rajone të Uiskonsin, Minesotas dhe Miçiganit, ndërkohë që në aeroportin e MIneapolisit u anuluan 150 fluturime, raporton Top Channel.

Në Miçiganin e Sipërm dëbora ka zënë pa përgatitur autoritetet duke shkaktuar probleme në qarkullim, ndërsa në Minesota policia njoftoi për dy të vdekur nga një aksident rrugor i shkaktuar si pasojë e ngricave në rrugë.

Sipas meteorologëve temperaturat kanë zbritur ndjeshëm nën mesataren sezonale, ndërsa parashikojnë që në ditët në vijim masat e ftohta të ajrit do të zhvendosen më në lindje.

Si në Kanada ashtu edhe në SHBA autoritetet thonë se stuhia ka qenë e papritur pas një tetori që regjistroi temperaturat më të larta prej vitesh.