Stuhi e fuqishme në Francë, rreth 250.000 shtëpi pa rrymë

13:09 | 21 Tetor 2021

Një stuhi e fuqishme i ka përfshirë kryesisht pjesët veriore dhe lindore të Francës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Përpos rreth 250.000 shtëpive që kanë mbetur pa energji elektrike, stuhia “Aurore” e preku edhe trafikun e trenave. Moti filloi të përkeqësohej të mërkurën pasdite.

Ministri francez i Transportit, Jean-Baptiste Djebbari, tha përmes një postimi në Twitter se rajoni përreth Parisit, Normandia, Franca veriore dhe rajonet lindore në Lorraine janë prekur më së shumti.

Në rajonin perëndimor, Brittany, një numër i shtëpive janë shkatërruar nga vërshimet, shkruan France24, transmeton Gazeta Express.

Stuhia që lëvizi drejt lindjes gjatë natës bëri që autoritetet në shumë pjesë të vendit të mërkurën t’i aktivizonin alarmet ngjyrë portokalli, që janë niveli i dytë më i lartë i alarmit.

Raportohet se rreth 3.000 punëtorë janë dërguar në zonat e prekura për ta rikthyer furnizimin me rrymë.

Alarmi i portokalltë është hequr në shumicën e rajoneve, por rreth 15 distrikte në lindje të Francës ende ishin nën alarm të verdhë të enjten.