Stuhi breshri në Kroaci, Slloveni e Hungari

Stuhi të forta breshri kanë goditur orët e fundit Kroacinë, Slloveninë dhe Hungarinë.

Bota

03/06/2022 23:26

Ata që po udhëtonin në autostradat në pjesën e Zagorjes përgjatë kufirit slloven ranë pre e breshrit të dendur që ka rënë nga qielli në madhësinë e kokrrës së arrës.

Sasitë e breshrit kanë qenë aq të mëdha saqë janë mbuluar plotësisht oborret e shtëpive, rrugët dhe livadhet, sikur të kishte rënë borë.

Sipas mediave kroate, disa rrugë kanë qenë të mbushura me akull, gjë që ka krijuar mjaft rrëmujë në trafik dhe disa automjete kanë mbetur të bllokuara.

Ende nuk dihet shkalla e dëmeve të shkaktuara nga stuhia, por dyshohet të jetë e madhe, sidomos për prodhuesit bujqësorë. Disa qytetarë u shprehën se nuk e kishin parë kurrë këtë stuhi në jetën e tyre ndaj ishin plotësisht të tronditur me rënien e kaq shumë breshëri në rrugë që llogaritet deri në 70 centimetra.