Studentët hungarezë e padisin fakultetin, nuk duan të mësojnë në gjuhën serbe

Gjykata e Apelit e Serbisë e ka dënuar Fakultetin Juridik në Novi Sad për diskriminim.

Lajme

13/03/2019 16:45

Lidhja e Nxënësve Hungarezë e Vojvodinës shprehën pakënaqësi se janë të detyruar ta mësojnë gjuhën serbe.

Vendimin e Fakultetit Juridik në Novi Sad që prej këtij viti shkollor t’i detyrojë studentët ta japin provimin pranues të gjuhës serbe, Gjykata e Apelit në Novi Sad e ka karakterizuar me vendim të formës së prerë, si diskriminues.

Në rastin konkret, si diskriminues doli të jetë edhe Ligji i Arsimit i Serbisë i cili parasheh kontrollin e njohjes së gjuhës serbe në provimet pranuese, transmeton express.

Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit së Serbisë është marrë në bazë të padisë së dyfishtë të organizatës joqeveritare të Lidhjes së Nxënësve Hungarezë të Vojvodinës.

Për herë të parë kjo organizatë e ka paditur Fakultetin Juridik në vitin 2015 për shkak të diskriminimit, gjegjësisht pamundësisë së studentëve të japin provimin pranues në gjuhën e tyre amtare.