Strategji ndryshe ndaj Andorrës, Sylvinho: Nuk duhet të gabojmë
Përfaqësuesja kuqezi do të kërkojë tri pikët e para në grupin K kualifikues kundër Andorrës. Trajneri Sylvinho sot në një konferencë për media tha se pret një ndeshje të fortë. “Lojtarët nuk duhet të gabojnë. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë. Kam parë ndeshjen e tyre (Andorrës) ndaj Letonisë, çdo gjë…

Sport
Përfaqësuesja kuqezi do të kërkojë tri pikët e para në grupin K kualifikues kundër Andorrës.
Trajneri Sylvinho sot në një konferencë për media tha se pret një ndeshje të fortë.
“Lojtarët nuk duhet të gabojnë. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë. Kam parë ndeshjen e tyre (Andorrës) ndaj Letonisë, çdo gjë ishte e barabartë, por ndeshja u vendos nga disa momente të vogla. Duhet të gjejmë hapësirat, gjë që nuk është e lehtë, në mënyrë që të kemi më shumë mundësi për të shënuar”, tha trajneri brazilian.
Trajneri Sylvinho u shpreh se do të luajnë për fitore ndërsa theksoi se mund të ketë ndryshime në formacion.
“Mund të mendojmë të bëjmë ndryshime nesër, sepse është një strategji loje ndryshe. Tani në shtëpi është ndryshe. Do të bëjmë disa ndryshime në aspektin strategjik të lojës dhe duhet të bëjmë ndryshime për të parë se si do të ecim”, tha Sylvinho, raporton KosovaPress.
Në konferencën para ndeshjes me Andorrën ishte edhe kapiteni Berat Gjimshiti, i cili tha se do të jetë një sfidë e vështirë, duke vlerësuar ekipin kundërshtar se ka një trajner që punon prej shumë vitesh me skuadrën.
Ai tha se Shqipëria duhet të krijojë hapësira dhe të vendosë kundërshtarin në vështirësi për të siguruar tri pikët e para në grup.
Takimi në “Air Albania” do të drejtohet nga treshja austriake në krye me Sebastian Gishamer.