Stradner: Vulin viziton Moskën në kohën kur Serbia paralajmëron kaos në Kosovë
Ekspertja në fushën e sigurisë dhe informacionit Ivana Stradner ka bërë të ditur se zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë Aleksandar Vulin do të qëndrojë për vizitë këtë javë në Moskë. Ajo në një postim në rrjetin social “X”, ka thënë se Vulin do të zhvillojë takime me shefin e diplomacisë ruse…

Lajme
Ekspertja në fushën e sigurisë dhe informacionit Ivana Stradner ka bërë të ditur se zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë Aleksandar Vulin do të qëndrojë për vizitë këtë javë në Moskë.
Ajo në një postim në rrjetin social “X”, ka thënë se Vulin do të zhvillojë takime me shefin e diplomacisë ruse Sergej Lavrov, ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe të tjerë.
“Kohë interesante… pasi qeveria serbe ka paralajmëruar kaos në Kosovë këtë javë. Ndërkohë… gazeta e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse vazhdon të flasë për një konflikt në Ballkan”, ka shkruar Stradner.
Aleksandar Vulin njihet për qëndrimin e tij pro-rus dhe antiperëndimor. Ai gjatë vizitës së tij të fundit më 11 qershor 2024 në Moskë tha se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.”
Serbia, e cila kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE, prej vitesh po largohet nga rruga e saj në BE dhe drejt aleatit tradicional Rusisë, si dhe Kinës. Vulin, i cili konsiderohet si “njeriu i Moskës” brenda qeverisë serbe, ka mbrojtur krijimin e “Botës serbe” që do të bashkonte të gjithë serbët.
Vizita e Vulin në Moskë bëhet në kohën kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “pret që hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Kosovë të bëhet më 14 ose 15 gusht”.
QUINT-i ka thënë publikisht se nuk mbështet hapjen e urës në këtë kohë, teksa BE ka thënë se Prishtina zyrtare nuk duhet të marrë “vendime të njëanshme”. KFOR-i ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vëren veprime afër urës që cenojnë sigurinë e qytetarëve.
Kosova e Serbia janë pajtuar për hapjen e urës në kuadër të dialogut në Bruksel, por hapja e saj është zvarritur disa herë dhe faktori ndërkombëtar kërkon që kjo çështje të jetë sërish temë e dialogut.
Serbian Deputy Prime Minister Aleksandar Vulin will be in Moscow this week to meet with Lavrov, Shoigu…
Interesting timing…as Serbian government has announced chaos in Kosovo this week.
Meanwhile…Russian MFA journal continues to gaslight about a conflict in the Balkans. pic.twitter.com/CIhIFBzsXy
— Ivana Stradner (@ivanastradner) August 11, 2024