S’tejkalohet ngërçi pa pjesëmarrjen e PDK-së, thotë Thaçi

Pas takimit të kryesisë së PDK-së, kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi tha se ndërmjet partive duhet të ketë dialog në mënyrë që sa më parë të themelohen institucionet, por edhe shtoi se pa pjesëmarrjen e partisë fituese në zgjedhje ngërçi nuk mund të tejkalohet.

Lajme

03/11/2014 16:37

Sipas kreut të PDK-së, adresa e vetme e përballjes dhe zgjidhje së ngërçit është takimi i përbashkët te Presidentja.

“Secila parti politike dhe secili lider duhet të dalë mbi interesat partiake e personale”, tha ai.

“Mendoj se është koha për reflektim të gjithëmbarshëm dhe reflektimi duhet të jetë gjithmonë në kuadër të mundësive potenciale, por edhe të fuqive që kanë me legjitimitetin qytetar, prandaj PDK-ja do t’i kontribuojë këtij komunikimi. Marrja e përgjegjësive i takon secilit në bazë të rezultatit zgjedhor”, u shpreh Thaçi.

PDK-ja, shtoi ai, ka shprehur vullnetin e saj, mirëpo PDK-ja është parti fituese dhe duhet të jetësojë vizionin për implementimin e “Misionit të Ri”.

“Mesazhet tona janë të vazhdueshme që të komunikojmë dhe të gjejmë zgjedhje, por tejkalim të ngërçit nuk ka pa pjesëmarrjen e PDK-së”, tha Thaçi në fund.