Stavileci: Partitë tjera i frikohen PDK-së, prandaj bëjnë koalicione parazgjedhore

19:12 | 23 Gusht 2019

Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se partitë tjera i frikohen PDK-së, prandaj dëshirojnë të bëjnë koalicione parazgjedhure.

Ai ka thënë se një koalicion midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të mund ta luftonte korrupsionin dhe nepotizmin.

“Qytetarët e dinë se ne si parti ka pothuajse dy vjet që ndodhemi në ciklet zgjedhore. E dini që mbi 70 mijë njerëz i janë bashkuar PDK-së”.

“Ne kemi mbajtur takime të rregullta edhe me Këshillin Drejtues. Sot do të diskutohen temat aktuale, pra përgatitja dhe mobilizimi për zgjedhjet që pritet të mbahen shumë shpejt. Shumë kohë para se të shpërbehet Qeveria dhe Kuvendi ne kemi nisur me një vrull të madh luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, në mënyrë që t’i hapim rrugë zhvillimit ekonomik”, tha Stavileci.

“Përderisa subjektet tjera harxhojnë shumë kohë duke i treguar vijat e kuqe. Ne e kemi theksuar se e kemi vetëm një vijë të kuqe dhe ajo është kundër korrupsionit dhe Serbisë”.

“Kadri Veseli është i vetmi lider që ka marrë vendime konkrete në këtë drejtim. PDK me kryetarin Veseli është e vetmja parti që deri sot ka larguar nga detyra personat me aktakuza. Është i vetmi lider që para tre vjetësh e ka përfunduar me sukses lirimin e pronave të uzurpuara”, tha Stavileci.

Ai ka thëne se tashmë është e dëshmuar që PDK ka arritur sukses në këtë drejtim. Ndërsa partitë tjera, sipas tij, nuk i kanë larguar personat me aktakuza nga pozitat zyrtare.

“Ne nuk na intereson se a do të bëhet koalicioni LDK-VV dhe nuk jemi të sigurt se çfarë mund të prodhojë një koalicion i tillë. Ky koalicion nuk do të mund ta luftonte korrupsionin dhe nepotizmim, sepse në njërën prej tyre ka persona që udhëheqin pozita të larta dhe janë të akuzuar dhe në tjetrën ka aq shumë ka nepotizëm. Ne jemi të vetëdijshëm për nivelin e nepotizmit në Komunën e Prizrenit”, tha Stavileci.

“PDK duke e ditur nivelin e organizimit të saj dhe përkrahjen që e gëzon, duke e ditur se është e vetmja adresë e besueshme, ka prodhuar një besim shtesë tek këta të rinj që po na bashkohen”.

“Partitë tjera e ndjejnë frikën e PDK-së, prandaj dëshirojnë që të bëjnë koalicion me parti tjera”, shtoi ai.