Stavileci ironizon me Kurtin: Pasi vura kollaren dhe po e njoh veten, përkohësisht e njoh edhe shtetin

Ministri Blerand Stavileci ka ironizuar me deklaratat e Albin Kurtit, se ai e njeh shtetin e Kosovës.

Lajme

31/05/2017 22:47

Ai ka thënë se deklaratat e përkohshme të Albin Kurtit se e njeh shtetin e Kosovës janë një mashtrim i pastër i radhës, që ai përpiqet t’ua bëjë qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, ato janë sikur kollaret e përkohshme të Vetëvendosjes, që tashmë i kanë vendosur zyrtarët e saj duke tjetërsuar identitetin e proklamuar me vite të tëra në kërkim të një identiteti të atypëratyshëm. Me këtë makiazh elektoral, Stavileci ka thënë se ata vetëm po e dëshmojnë lakminë për pushtet e kolltuqe, për interesa personale dhe në dëm të shtetit dhe aleatëve tanë perëndimorë.

Ky është statusi i plotë i Stavilecit:

Demagogji pa kufi. Dyfytyrësi se jo mahi.

“Pasi e vura kollaren dhe tash po e njoh veten, përkohësisht do ta njohë edhe shtetin e Kosovës”

Deklaratat e përkohshme të Albin Kurtit se e njeh shtetin e Kosovës janë një mashtrim i pastër i radhës, që ai përpiqet t’ua bëjë qytetarëve të Kosovës. Që nga hyrja në politikë, ai është angazhuar për ta luftuar ekzistencën e Republikës së Kosovës si shtet. Ai nuk njeh asnjë rezultat të Kosovës, as shpalljen e pavarësisë, as simbolet shtetërore dhe asgjë tjetër. Për më keq, ai dhe militantët e dhunshëm që i menaxhon, vazhdojnë ta luftojnë edhe me molotov dhe mjete të tjera të dhunshme shtetin e Kosovës. Deklaratat e tij gjatë fushatës janë sikur kollaret e përkohshme të Vetëvendosjes, që tashmë i kanë vendosur zyrtarët e saj duke tjetërsuar identitetin e proklamuar me vite të tëra në kërkim të një identiteti të atypëratyshëm. Me këtë makiazh elektoral ata vetëm po e dëshmojnë lakminë për pushtet e kolltuqe, për interesa personale dhe në dëm të shtetit dhe aleatëve tanë perëndimorë.