Stavileci: Huqje astronomike të Isa Mustafës

Ministri në largim i Ministrisë së Bujqësisë, Blerand Stavileci ka reaguar ndaj premtimeve të Isa Mustafës, i cili para disa orësh ka premtuar se nëse LDK vjen në pushtet do t’i krijojë 120 mijë vende pune në bujqësi.

Lajme

12/05/2014 20:49

Në një shkrim të postuar në Facebook, këtë premtim Stavileci e ka quajtur premtim astrologjik dhe, sipas tij, Isa Mustafa për 14 vjet nuk ka krijuar asnjë vend pune në bujqësi, ndërsa tash 120 mijë!

Stavileci thotë se Isa Mustafa ka veç fjalë dhe punë hiç, dhe se tashmë ai e ka vërtetuar këtë.

KosovaPress e sjell të plotë shkrimin e Blerand Stavilecit të postuar në Facebook

Për që Isa Mustafa ka veç fjalë dhe punë hiq, kjo tashmë është vërtetuar. Por, për që ai nuk ka as logjikë ekonomike dhe nuk e din as çfarë flet, kjo është diçka që po vërehet shumë kohëve të fundit. Sot gjatë një vizite dy prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit në komunën e Fushë Kosovës, Isa paska thënë se importojmë 80 milionë euro qumësht dhe produkte të qumështit. Huqja e tij këtu nuk është hiq më e vogël se 47.5 milionë euro, sepse importi i qumështit dhe nënprodukteve të tij ka qenë 32.5 milionë euro në vitin e kaluar.

I huqur përreth 40 milionë euro është edhe derisa i është referuar importit të përgjithshëm të produkteve bujqësore, sepse nuk importojmë 600 milionë, por 560 milionë euro. E nëse shikohet struktura e importit që vlerësohet si bujqësore/me origjinë bujqësore (kaptinat 1-24), atëherë duhani, kafja, alkooli dhe frutat tropikale janë produkte që përfshijnë rreth 40 % të këtij importi. E, nëse i referohemi zëvendësimit të tyre, atëherë Kosova mund t’i zëvendësojë produktet bujqësore që importohen dhe që mund të prodhohen tek ne – shikuar në këtë vlerë të importit vetëm përreth 290 milionë euro, sepse pjesën tjetër, veç nëse Isa me akullsinë e tij mund t’i afrohet diellit që t’ia ndërrojë vendin apo nëse ka ndikim edhe mbi faktorë të tjerë klimatikë, mund t’i zëvendësojmë duke i prodhuar!

Për më tepër, gjatë gjithë qeverisjes së LDK-së në të kaluarën, përpos që nuk është përkrahur bujqësia, sepse zero investime kanë pasur në dy mandate qeverisëse, prodhuesin vendor kjo parti edhe e ka shkatërruar me marrëveshjen e CEFTA-s. Qe po i kuptojmë se nuk kanë mundur t’i përkrahin për shkak të buxhetit, por nuk kemi sesi t’i kuptojmë kur në vend të mbrojtjes së prodhuesit dhe përpunuesit bujqësor, që të njëjtën tash sërish po ua premtojnë, LDK-ja e ka shkatërruar atë duke lejuar të importohet gjithçka pa doganë nga vendet anëtare të CEFTA-s, të cilat edhe tash janë dominante në importin e Kosovës. Nuk mund t’i kuptojmë qysh kanë lejuar që prodhuesi dhe përpunuesi vendor të konkurrojë në tregun tonë, në kushte të barabarta, me një prodhues dhe përpunues të huaj shumëfish më të fuqishëm dhe shumë herë me aftësi konkurruese më të mira!

Por, përkundër gjithë këtyre problemeve që qeverisja e keqe e tyre na ka prodhuar dhe përkundër mospërkrahjes e mos-mbrojtjes së prodhuesit vendor nga LDK-ja – ata sot kanë edhe përkrahje prej Qeverisë, kanë mbrojtje dhe kanë edhe rreth 80% lirim të makinerive dhe inputeve bujqësore prej TVSH-së dhe tarifave doganore. Madje, edhe dy prodhuesit e vizituar sot prej Isës, të cilët në qeverisjen e LDK-së mezi që kanë frymuar në treg, janë përkrahur me rreth 800 mijë euro grante investive prej KE-së dhe njëri prej tyre me 429,076 euro grante e subvencione prej Ministrisë së Bujqësisë.

Qe prapë po e mirëkuptojmë Isën, sepse asokohe nuk ka qenë pjesë e qeverisjes qendrore, por lokale në kryeqytet. Por, çfarë bëri ai për bujqit e Prishtinës?!

Mbi 14 vjet qeverisje, në 48 fshatra, sa ka komuna e Prishtinës, as edhe një vend të vetëm të punës në bujqësi nuk e ka krijuar e tash 120 mijë vende po thotë që i krijon. Madje, mosinteresimin e tij për bujqit e kryeqytetit, gjatë gjithë qeverisjes së tij, e ka treguar edhe duke mos e krijuar as edhe një drejtori bujqësore, ku ata do të mund t’i adresonin qoftë edhe vetëm shqetësimet e tyre.

Për më shumë, premtimi i tij për investime në vlerë prej 1.2 miliard euro në bujqësi është aq joserioz dhe aq i paanalizuar dhe i parealizueshëm, saqë po nënkuptohet vetëm si një premtim më i madh se premtimi ynë dhe asgjë më shumë. Nëse veç pak merremi me të dhe ia bëjmë një përllogaritje, atëherë nëse këtë 1.2 miliard euro e pjesëtojmë me sipërfaqen e punueshme të 185 mijë ekonomive familjare bujqësore, sa kemi si shtet, e cila është 275 mijë hektarë, dhe i referohemi subvencionimit të tyre, po i bie që subvencionet kanë me qenë nga 1,090 euro për hektar në vit.

E di që Isa nuk e din, por mesatarja e subvencioneve për të gjitha shtetet e BE-së, bazuar në modelin e kalkulimit OECD indicator Ppha – Total buget/UAA është 353 euro, ndërsa e tij trefish më e madhe.

Ku është logjika ekonomike e subvencioneve këtu ooo Isë, kur koston e prodhimit ua mbulon dy herë më shumë dhe ua blen edhe në tërësi edhe prodhimtarinë me këtë mesatare të subvencionimit?!

Kjo është huqje astronomike!