Statutet e komunave në Veri, të papranueshme

Zëvendës Kryeministrja Edita Tahiri u ka bërë thirrje përfaqësuesve të komunave veriore që të ndryshojnë përbajtjen e statuteve komunale, pasi që janë evidentuar se kanë parregullsi. Ajo thotë se edhe BE’ja është e njoftuar për këto zhvillime.

Lajme

12/03/2014 21:02

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se përmbajtja e statuseve të katër kuvendeve Komunale të katër komunave veriore janë të papranueshme. Andaj ajo ka kërkuar që ato të ndryshohen.

Tahiri duke u bazuar në informacione zyrtare, se në këto seanca ka pasur parregullsi dhe se është evidentuar se ka pasur shkelje në përmbajtjen e statuseve ka kërkuar që ato të ndryshohen dhe të jenë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Në seancat e mbajtura gjatë pasdites në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, përveç në Mitrovicën veriore ku po vazhdon seanca edhe në këto momente, janë miratuar statutet e komunave veriore të cilat për nga përmbajtja e tyre në disa pjesë nuk janë pajtim me Ligjet e Kosovës, prandaj si të tilla janë të papranueshme dhe kanë nevojë që të plotësohen dhe ndryshohen në mënyrë që të jenë në pajtim me Ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës ashtu siç e përcakton marrëveshja e Brukselit. Harmonizimi i këtyre statuteve sipas Ligjeve të Kosovës duhet të ndodh para se këto statute të hyjnë në fuqi”, ka thënë Tahiri, raporton Koha.net.

Tahiri ka thënë se për ndryshimet e përmbajtjeve të statuteve duhet të bashkëpunohet me Ministrinë e pushtetit lokal, në të kundërtën këto statue do të konsiderohen jolegale.

“Kuvendet komunale të këtyre komunave duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, në mënyrë që përmbajtja e statuteve të jetë legale dhe të mund të përdoret nga autoritetet e zgjedhura komunale”.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri i konsideron këto zhvillime si jo të mira. Ajo edhe njëherë ka bërë të qartë se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të vendos rend dhe ligj në gjithë territorin e Kosovës.

Ajo iu ka bërë thirrje udhëheqësve të rinj të këtyre komunave që të respektojnë sistemin legal të Kosovës.

“Konsiderojmë se ky nuk është një zhvillim i mirë pas sukseseve të evidentuara në këtë proces duke përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe zbatimin e rezultateve përmes një procesi legal të inaugurimit të organeve të reja komunale”.

“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të vendos ligjin, rendin, demokracinë dhe normalitetin në këtë pjesë të vendit sipas Kushtetutës së Kosovës dhe u bënë thirrje udhëheqjeve të reja në këto komuna të respektojnë sistemin legal të Kosovës që është interesin e gjithë qytetarëve”.

Tahiri ka treguar se Kuvendeve Komunale me shumicë serbe u është dërguar një model status në mënyrë që hartimi i saj të jetë sa më i lehtë.

Po ashtu ajo ka bërë të ditur se për parregullsitë e gjetura në statutet e Kuvendeve Komunale është e njoftuar edhe Bashkimi Europian.