Startuan vetëm nëntë futbollistë, në pjesën e dytë dolën vetëm shtatë – referi mbyll ndeshjen para kohe

23:22 | 27 Nentor 2021

Një gjë e çuditshme dhe e rrallë ka ndodhur në ligën kryesore të Portugalisë.

Në ndeshjen e zhvilluar mes Belenenses dhe Benficas sonte, skuadra vendase ka bërë çudinë duke vendosur vetëm nëntë futbollistë në 11-shen startuese.

Kjo për shkak të shpërthimit të Covid-19 që tronditi ekipin vendas. Me 17 rezultate pozitive të konfirmuara, përfshirë 14 lojtarë, Belenenses SAD, pasdite, u privua nga disa lojtarë të tjerë, për shkak të nevojës për izolim profilaktik dhe teste të reja PCR, siç njoftoi presidenti i saj, Rui Pedro Soares.

Kështu, skuadra vendos vetëm nëntë lojtar në fletën e ndeshjeve të disponueshme në faqen e internetit të Ligës, dy prej të cilëve ishin portierë.

Në pjesën e parë, me avantazhin e dy futbollistëve më tepër, Benfica po fitonte me rezultat të thellë 7-0.

Në pjesën e dytë, skuadra vendase u reduktua në shtatë futbollistë startues.

Më pas, arbitri ka fishkëllyer për fillimin e pjesës së dytë, një lojtar ka rënë në fushë dhe, duke respektuar rregullat, arbitri e ka mbyllur lojën para kohe.

Në shumë postime në Twitter, kjo po konsiderohet si nata më e shëmtuar në historinë e futbollit portugez. /Lajmi.net/