Stafet mjekësore të klubeve udhëzohen për masat që duhet të ndërmarrin, i dhurohen edhe masa mbrojtëse nga FFK

Gjatë ditës së sotme Ministria e Shëndetësisë ka dalë me vendim për lejimin e stërvitjeve të klubeve të Superligës, por njëherësh ka kërkuar nga klubet respektim të përpiktë të masave mbrojtëse të institucioneve shëndetësore ndaj pandemisë Covid-19.

Sport

18/05/2020 18:28

Për këtë arsye, përgjegjësi i ekipit mjekësor të FFK-së, dr. Murat Berisha, sot ka mbajtur takim me stafet mjekësore të klubeve të Superligës, transmeton Gaztasheshi.com.

Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi dhe shpjegimi për stafet mjekësore me masat e protokollit higjieno-sanitar për stërvitje dhe ndeshje në mbrojtje nga virusi Covid-19.

Gjatë këtij takimi u bë edhe shpërndarja e mjeteve që do të shërbejnë si masë mbrojtëse nga virusi si dhe për dezinfektimin e hapësirave të stadiumeve ku zhvillohen stërvitjet dhe ndeshjet, mjete këto të cilat janë siguruar nga FFK-ja për të gjitha klubet e Superligës.