Stacioni policor Veriu zhvendoset në “Arbëri”, Rama paralajmëron themelimin e policisë së kryeqytetit

Edhe zyrtarisht sot është bërë ndërrimi i lokacionit të stacionit policor Veriu në Prishtinë. Me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, stacioni policor Veriu, që ndodhej në lagjen “Kodra e Trimave”, në kryeqytet, është zhvendosur në objekt të ri në lagjen “Arbëria”, në rrugën “Toni Bler”. Andaj duke u bazuar me lokacionin e objektit dhe ri-definimin…

Lajme

28/11/2022 15:41

Edhe zyrtarisht sot është bërë ndërrimi i lokacionit të stacionit policor Veriu në Prishtinë. Me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, stacioni policor Veriu, që ndodhej në lagjen “Kodra e Trimave”, në kryeqytet, është zhvendosur në objekt të ri në lagjen “Arbëria”, në rrugën “Toni Bler”.

Andaj duke u bazuar me lokacionin e objektit dhe ri-definimin e zonave, kjo lagje do të kalojë nën administrim të stacionit policor Veriu.

Me këtë rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se kushtet në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë kanë qenë të pafavorshme për punë, teksa shtoi se me caktimin e objektit me lokacion të ri, nuk do të thotë që tash është përfundimi i bashkëpunimit me policinë.

Kryetari Rama tha se janë duke punuar që Prishtina të ketë edhe policinë e kryeqytetit.
“Kam qenë vetë prezentë në stacionin policor në “Kodrën e Trimave”, kam parë kushtet të cilat kanë qenë jo të favorshme e mos të themi katastrofale. Prandaj, ndihemi krenar që jemi në objektin e ri, por nuk do të thotë që do të mbetet me kaq, por mendoj se është fillimi i bashkëpunimit tonë. Jemi në proces të krijimit të planit zhvillimor komunal, ku pritet të caktohen edhe pikat tjera për policinë e Kosovës. Lagja “Arbëria” përballet me sfida të ndryshme, mirëpo tash do të jetë edhe më e sigurt. Jemi duke punuar që Prishtina të ketë edhe policinë e kryeqytetit që t’i dalë në ndihmë policisë së Kosovës, që të ketë një siguri shtesë”, theksoi Rama.

Drejtori i drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Fehmi Gjata theksoi se ndërrimi i lokacionit nuk nënkupton largimin nga shërbimet për qytetarët. Ai theksoi se përkundrazi, do të ketë shtim të aktiviteteve në zonën e përgjegjësisë, respektivisht edhe në zonën ku ka qenë prezent edhe objekti i vjetër në “Kodrën e Trimave”.

“Nuk nënkupton largimin e shërbimeve nga qytetarët, përkundrazi do të ketë shtim të aktiviteteve në zonën e përgjegjësisë, respektivisht edhe në zonën ku ka qenë prezent edhe objekti i vjetër në “Kodrën e Trimave”. Me ri-definimin e kufijve administrativ të stacionit, Stacionit Veriu iu ka shtua një barrë shumë e madhe, respektivisht një territori shumë me rëndësi ku janë prezent të gjitha ambasadat, duke përfshirë këtu edhe Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it”, tha ai.

Pas ri-definimit të kufijve administrativ të stacionit të policisë, zona territoriale e lagjes “Tophane”, me kufizim deri në rrugën “Ilir Konushevci”, përkohësisht nga stacioni Veri, kalon nën administrim të stacionit Qendra.

Për të qenë më afër qytetarëve, si dhe orientimin e saktë të tyre, Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, ka vendosur që në objektin e vjetër, për një kohë të shkurtër të mbajë një numër të caktuar të zyrtarëve policorë.