Sqaron policia: Në Pejë u dogjën gjysmë hektari bari përreth por shpëtoi fabrika

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur që mbrëmë ka shpërthyer një zjarr rreth fabrikës së lëngjeve “Top Joy”, por fabrika nuk ka pësuar ndonjë dëm.

Lajme

13/08/2015 13:30

Sipas sqarimit të PK-së, nga zjarri janë përfshirë një sipërfaqe prej gjysmë hektari, ndërsa policia rastin e ka trajtuar si zjarrvënie.

“Vendit te ngjarjes i janë përgjigjur njësitet e duhura policore dhe zjarrfiksat ku këta te fundit kanë arritur qe ta lokalizojnë zjarrin, persona të lënduar si pasojë e zjarrit nuk ka pasur pos dëmeve materiale. Zjarrfikësve në ndihmë ju kanë shkuar edhe njësitet e FSK-ës nga baza e tyre ne ketë komunë.

Pas hetimeve të bëra nga njësitet relevante zjarri ka shkaktuar djegie të një pjese të parkut të ish fabrikës së lëngjeve ‘ Top Joy’ në sipërfaqe rreth 0.50 ha dhe nga zjarri nuk është përfshirë objekti i fabrikës në fjalë,përveç disa pishave të parkut dhe fushës (barit)”, thuhet në njoftimit e policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit PK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme shikuar vlerësimin e rastit.

Mbrëmë rreth mesnatës mediat kishin raportuar që zajrri kishte shpërthyer në fabrikën e lëngjeve “Top Joy”.