Sqaron MKRS: Nuk kemi shkelur ligjin, kemi emëruar vetëm 6 këshilltarë

Kujtim Shala duket ta ketë marrë shumë seriozisht misionin e partisë së tij LDK'së, për të punësuar militantë. Ai në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka emëruar 7 këshilltarë, duke shkelur kështu Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, e cila thotë shprehimisht se ‘ministrat kanë të drejtë të emërojnë vetëm 6 këshilltarë’.

Lajme

06/01/2015 12:50

E plotësuar: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka reaguar pas një shkrimi në media se kanë shkelur ligjin duke emëruar shtatë këshilltarë. 

Në sqarimin e MKRS-së, thuhet se Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, nuk ka bërë shkelje të ligjit në rastin e emërimit të këshilltarëve politikë.

Sipas MKRS-së, janë emëruar gjashtë këshillëtarë, i emëruari i shtatë është shef kabineti, e jo këshilltar.

“Ministri ka emëruar këshilltarin e lartë, z. Vehbi Miftari, dhe këshilltarët për fusha të caktuara: z. Nysret Krasniqi. z. Muharrem Sahiti, z. Zeqir Hamiti, z. Faton Peci dhe z. Arsim Canolli, ndërsa znj. Arbëresha Hoxha është emëruar në cilësinë e Shefes së Kabinetit”, thuhet në sqarim.

_________________________________________

Shala shkel ligjin, emëron më shumë këshilltarë në MKRS se sa i lejohet

Kjo thuhet në nenin 21 të rregullores. Edhe në rastin e emërimit të zëdhënësit dhe shefit të kabinetit rregullorja është e qartë.

“Zëvendëskryeministrat, që mbulojnë ministri dhe ata që nuk mbulojnë asnjë ministri, mund të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë. Ministrat mund të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë. Postet e këshilltarëve të autorizuara sipas këtij paragrafi mund t’i ndahen edhe zëvendësministrave nga ministri përkatës”, thuhet në nenin 21.

Edhe në rastin e emërimit të zëdhënësit dhe shefit të kabinetit rregullorja është e qartë. Ajo thotë se dy nga 6 këshilltarët duhet të kenë detyrën e zëdhënësit dhe shefit të kabinetit.

“Kryeministri emëron një nga këshilltarët/et politikë/e në cilësinë e zëdhënësit të Qeverisë. Ministrat/et emërojnë një nga këshilltarët/et politikë/e në cilësinë e zëdhënësit të Ministrisë Zëvendëskryeministrat/et, ministrat/et emërojnë një nga këshilltarët/et politikë/e në cilësinë e Këshilltarit të Lartë Politikë. Kryeministri, ministrat/et emërojnë një nga këshilltarët/et politikë/e në cilësinë e Shefit/es të/së Kabinetit”, thuhet në nenin 30 të kësaj rregullore.

Shala, ani pse është edhe zëvendëskryeministër duhet se nuk i njeh këto rregullore. Express merr vesh se Shala ka emëruar si këshilltarë 7 persona, emrat e të cilëve janë :

1. Vehbi Miftarin. 2. Zeqir Hamitin. 3. Muharrem Sahitin. 4. Faton Peci. 5. Arsim Canolli. 6. Arberesha Hoxha. 7. Nystret Krasniqi. (Express)