Sqarohet Presidentja

Presidentja Atifete Jahjaga duke parë shqetësimet e ngritura, lidhur me njërin prej personave që kishte falur me dekret presidencial, ka kërkuar që urgjentisht të mblidhet Komisioni për falje dhe ta shqyrtojë rastin.

Lajme

19/02/2014 12:56

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në Ditën e Pavarësisë, ka shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese, duke falur kështu dy të burgosur.

Por, për njërin prej të falurve, Sedat Berisha, mediet kishin shprehur shqetësimin e tyre, pasi që ai dyshohet të jetë redicivist.

Duke parë shqetësimin e medieve, Presidentja Jahjaha ka reaguar, dhe ka njoftuar se Sedat Berisha është falur me dekret presidencial, pasi që ishte konstatuar se përmbushte të gjitha kriteret e parapara me ligj për falje.

“Presidentja e Republikës së Kosovës ka pranuar me shqetësim njoftimet e sotme në mediat e Kosovës se njëri nga të burgosurit e falur dyshohet të jetë recidivist”.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin se Sedat Berisha është falur me dekret të Presidentes së Republikës së Kosovës me datën 17 shkurt 2014, pas konstatimit të komisionit profesional për falje, bazuar në dokumentet dhe informatat e prezantuara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës se i burgosuri i plotëson kriteret e parapara me ligj dhe rregulloren e Presidentes për falje”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Presidenca.

Presidentja Atifete Jahjaga duke u bazuar në informacionet e publikuara në media, ka kërkuar një mbledhje urgjente të komisionit profesional për falje, për të vërtetuar dyshimet e ngritura.

“Presidentja Jahjaga, bazuar në informacionet e publikuara në media, ka kërkuar mbledhjen urgjente të komisionit profesional për falje, për të vërtetuar dyshimet e ngritura në media”. “Presidentja Jahjaga shqetësimin e saj ia ka shprehur edhe ministrit të drejtësisë, zotëri Hajredin Kuçi, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ndërinstitucional, me qëllim të zbardhjes sa më të shpejtë të këtij rasti”.

“Presidentja Jahjaga falënderon mediat e Kosovës për vigjilencë, duke vlerësuar rolin e tyre të rëndësishëm në shoqëri si kujdestar të mirëfilltë të institucioneve të vendit”, thuhet në këtë sqarim të lëshuar nga Presidenca.