Sportit të Kosovës i shtohet edhe një federatë, ajo e Pikados

Sportit të Kosovës i shtohet edhe një federatë. Nga sot, zyrtarisht do të ketë të drejtë të zhvillojë veprimtarinë e saj, Federata e Pikados e Kosovës.

Sport

21/08/2020 16:39

Me këtë rast, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, i ndau licencën kryetarit të kësaj federate, Arben Sllovinja.

Ministrja Dumoshi vlerësoi se sporti i pikados është një aktivitet sa zbavitës aq edhe atraktiv, e që ata që janë të apasionuar pas këtij sporti prej sot kanë një organizatë sportive e cila i përfaqëson dhe i organizon.

“Themelimi i Federatës së Pikados dhe licencimi i saj e pasuron sportin e Kosovës duke e shtuar numrin e organizatave sportive që operojnë në vendin tonë dhe ne si ministri jemi tejet të lumtur që ka të interesuar që ta promovojnë, zhvillojnë dhe avancojnë këtë lloj sporti në vendin tonë edhe nëpërmjet organizimit zyrtar në rrugë institucionale”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ajo i uroi sukses rrugëtimit të kësaj federate të re dhe u shpreh se MKRS-ja do të jetë adresë bashkëpunimi e mbështetjeje për këtë federatë.

Ndërsa, kryetari Sllovinja e falënderoi ministren Dumoshi për pritjen dhe dorëzimin e licencës. Ai e njoftoi ministren me aktivitetet dhe organizimin e federatës, për klubet dhe anëtarët e kësaj federate të re. Sllovinja u shpreh se do të përpiqen maksimalisht që Kosovës t’i sjellin sa më shumë suksese në këtë sport. /Lajmi.net/