Sportistët serbë: Do t’ua zgjasim dorën kolegëve kosovarë

Sportistë serbë janë pajtuar me vendimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për pranimin e Kosovës dhe thonë se janë të gatshëm të takohen me ta, në përputhje me vlerat sportive.

Sport

11/12/2014 09:49

Sportistët serbë duket se janë pajtuar me faktin se do të duhet të garojnë me kolegë nga Kosova.

Më herët gjatë javës, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e pranoi Kosovën si anëtare të re me të drejta të plota dhe ajo tani do të ketë mundësi të kualifikohet për në Olimpiadën në Rio më 2016. Nikolina Moldovan, sportiste serbe ka thënë se ata duhet të pajtohen me këtë vendim.

“Në të gjitha garat, ne jemi flamur i Serbisë. Kjo është gjëja kryesore. Sporti është i tillë, flet për lojë fer dhe barazi, pa marrë parasysh se kush nga cili shtet vjen. Për këtë arsye do të sillesha njësoj sikurse para cilitdo kundërshtarë tjetër”, deklaroi ajo për “Alo”, raporton “Lajmi.net”.

Edhe basketbollisti i Crvena Zvezdës, Stefan Jovic mendon njësoj.

“Në topin e parë është vështirë të thuhet. Nuk e di si do të sillesha, me siguri sikurse kundër cilitdo rival tjetër. Situata do të ishte shumë specifike, por në përputhje me vlerat e sportit, do t’ia zgjasja dorën rivalit. Nga hapat e parë në e mësojmë lojën fer, dhe do të sillesha në përputhje me të. Nuk duhet ta përziejmë politikën në sport”, u shpreh ai.