Sporti në Prishtinë në kolaps, rrezikohen mbi 100 klube
Sporti në Komunën e Prishtinës po përballet me një krizë të thellë financiare si pasojë e një bllokade që ka ndikuar në mosshpërndarjen e granteve për klubet sportive. Më shumë se 100 klube janë prekur nga ky ngërç, i cili thuhet se ka ardhur si rezultat i bllokimit të buxhetit të komunës nga Qeveria e…

Sport
Sporti në Komunën e Prishtinës po përballet me një krizë të thellë financiare si pasojë e një bllokade që ka ndikuar në mosshpërndarjen e granteve për klubet sportive. Më shumë se 100 klube janë prekur nga ky ngërç, i cili thuhet se ka ardhur si rezultat i bllokimit të buxhetit të komunës nga Qeveria e Kosovës.
Drejtoria e Sportit në Prishtinë, drejtues të klubeve dhe përfaqësues të komunitetit sportiv, kanë reaguar ashpër ndaj kësaj situate, duke e cilësuar si një dëm të drejtpërdrejtë për zhvillimin e sportit dhe përgatitjen e ekipeve për garat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar për këtë çështje.
Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, nga Drejtoria për Sport në Komunën e Prishtinës kanë thënë se kjo situatë është rezultat i një bllokade të pastër politike, e cila po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sektorëve kyç në kryeqytet, përfshirë edhe sportin.
“Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një bllokade të pastër politike, e cila po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sektorëve kyç në kryeqytet, përfshirë edhe sportin. Kjo është një ndërhyrje joligjore, që ka për qëllim vetëm një gjë: të bllokojë zhvillimin dhe përkrahjen institucionale për komunitetin tonë. Drejtoria e Sportit ka përfunduar me kohë dhe me përpikëri të gjitha procedurat për hapjen e thirrjes publike për subvencionimin e sportistëve dhe klubeve sportive. Kemi qenë të gatshëm të ofrojmë përkrahjen që ua garanton ligji dhe e meritojnë sportistët tonë. Fatkeqësisht, për shkak të bllokimit të buxhetit të Komunës nga niveli qendror, këtë vit e kemi të pamundur të procedojmë me mbështetjen financiare. Ky është një dëm real për sportin, për përgatitjen e ekipeve, pjesëmarrjen në gara dhe vazhdimësinë e punës së klubeve”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës.
E njohësi i rrethanave sportive, Ardian Llumnica, thekson se janë rreth 600 mijë euro që jepen në formë të granteve dhe se nga kjo bllokadë preken mbi 100 klube në kryeqytet.
“Klubet sportive në Prishtinë e kanë pritur me shumë shqetësim anulimin e granteve për sport, kjo është e pakuptimtë dhe kjo po bëhet për shkak të divergjencave politike që ka niveli qendror me atë lokal në momentumin më të keq sepse në këtë kohë Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Sportit, do të duhej kishin marrëdhëniet më të mira edhe për shkak të organizimit të Lojërave Mesdhetare dhe pa pasur koordinim, natyrisht që edhe ato cenohen. Bllokimi i granteve i prek shumë klube në Komunën e Prishtinës, mbi 100 klube kanë të hyra nga këto grante dhe rrjedhimisht prekin integritetin e garave të shumë sporteve…Mbi 600 mijë euro është vlera totale dhe nëse proporcionalisht ndahet nëpër klube natyrisht që i bie një ndihmë e mirë për klubet sportive ”, thekson Llumnica.
E tashmë sinjalet e para nga klubet kanë filluar të vijnë për shkak të kësaj situate. Klubi i Hendbollit ‘Prishtina’, ka paralajmëruar tërheqjen nga garat nëse kjo situatë nuk zhbllokohet së shpejti. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, përfaqësuesi i këtij klubi, Oltion Beshiri
“Këto mjete financiare kanë qenë arsyeja kryesore pse ne kemi arritur t’i zhvillojmë garat kështu që edhe reagimi ynë ka qenë reagim i diskutuar brenda klubit. Ne e kemi publikuar si lajm, por realisht ky reagim është i të gjitha klubeve për shkak se unë kam pasur kontakte private me klube të tjera dhe situata është e njëjtë. Për ne si klub, por edhe për klube të tjera është e pamundur vazhdimi i garave nëse Komuna e Prishtinës, Drejtoria për Sport, ose qeveria në këtë rast nuk i liron ato fonde të cilat janë të premtuara dhe ne realisht komplet planin dhe aktivitetet e klubit i kemi ideuar dhe i kemi zhvilluar duke u bazuar në atë buxhet”, bëri të ditur Beshiri.
Sipas Llumnicës, e çuditshme në krejt këtë situatë është heshtja e Ministrisë së Sportit.
“Po më pengon shumë heshtja e Ministrisë së Sportit dhe kjo përgjumësia e tyre në këtë problematikë. Në kushte normale një kabinet i ministrit do të duhet menjëherë ta vizitonte Komunën e Prishtinës dhe të shqetësohej për klubet e Prishtinës, e aq më tepër kur ministri aktual i sportit është kandidat i ardhshëm për kryetar të komunës, kjo është e pakuptimtë sepse nesër ai do të trokas në këto klube sportive për të marrë besimin e votës”, shtoi më tutje Llumnica.
Për situatën e krijuar, KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Sportit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Përndryshe, probleme me buxhet kanë të gjitha drejtoritë në Komunën e Prishtinës. Kjo pasi ato nuk kanë marrë buxhet nga Qeveria.
Kjo e fundit ka sqaruar se Komuna e Prishtinës është vonuar ta miratojë buxhetin nga asambleja komunale dhe kësisoj nuk ka arritur të bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit të Kosovës.
Sipas ministrit në detyrë, Hekuran Murati vetëm pasi të konstituohet Kuvendi, e të zgjedhet Qeveria e re, mund të inicohet plotësim/ndryshimi i Ligjit të Buxhetit për ta përfshirë edhe projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës./kp