Sporti i Kryeministrit Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur 100 për qind për sportin, në një intervistë të dhënë së fundmi, ku i ka treguar ekipet e preferuara, lojtarin që pëlqen dhe për sportin kosovar në përgjithësi.

Sport

19/05/2014 11:08

E kënaq loja e Barcelonës, por më shumë i pëlqen Cristiano Ronaldo sesa Lionel Messi. Nuk i veçon skuadrat nga Skenderaj prej atyre të komunave tjera.

S\’i harron emocionet që ia sillnin dikur grushtet e Luan Krasniqit, por më krenarë ndihet me Majlinda Kelmendin.

Thotë se shqiptarët janë me fat që i kanë dy Kombëtare të zemrës. Beson fuqishëm se Shqipëria do të triumfojë në dy ndeshjet ndaj Serbisë. Ka marrë paralajmërime se Kosova do të garojë në eliminatoret e “Botërorit 2018”.

Deri atëherë, shpreson që Kosovës t’i bashkohen edhe yjet si: Shaqiri, Xhaka e Januzaj. Pohon se e njeh mirë gjendjen e sportit kosovarë, derisa është i gatshëm t’i takojë edhe Sepp Blatterin e Michel Platinin.

Insiston se Kosova do të bëhet me stadiumin më modern në Ballkan, ndërsa stadiumit të Prishtinës i premton investime. Nuk harron  të thur lëvdate edhe për ministrin e Sportit, Memli Krasniqi.

Kryeministri në përfundim të mandatit, Hashim Thaçi, e ka dhënë një intervistë për “Zërin”.

Z. Kryeministër, cila është afërsia juaj me sportin?

Thaçi: Unë jam një tifoz i sportit, veçanërisht i futbollit. Interesimin për futbollin ma ka shtuar shumë edhe djali im Endriti, që është një tifoz i zjarrtë i këtij sporti, edhe pse ndodh që të mbështesim ekipe kundërshtare.

Personalisht, a jeni marrë ndonjëherë me aktivitete sportive?

Thaçi: Natyrisht, gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm, ndërsa më pak gjatë studimeve. Futbolli ka qenë gjithmonë sporti im i preferuar. Për fat të keq, edhe tash më bie që të luaj me miq, por shumë rrallë.

Cila skuadër evropiane e futbollit i pëlqen kryeministrit të Kosovës?

Thaçi: Më pëlqen loja që bën Barcelona, por edhe loja e Real Madridit. Por, të them sinqerisht ka disa vjet që i simpatizoj ekipet ku luajnë djemtë e Kosovës, si Bayern Munich ku luan Shaqiri, Manchester United ku luan Januzaj, Borussia Monchengladbach ku luan Xhaka, Lazio ku luan Cana e Berisha, Napoli ku luan Behrami, etj. Gëzohem që shumica e këtyre ekipeve po tregojnë rezultate të shkëlqyeshme edhe me ndihmën e futbollistëve nga Kosova.

Sipas Thaçit, më i mirë Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo?

Thaçi: Në këtë rast më duhet ta them emrin e atij që e pëlqen edhe Endriti më shumë, Cristiano Ronaldo. Fundja, aktualisht është edhe më i miri në botë sipas FIFA-s.

Tifoz i kujt është Thaçi kur skuadrat e Prishtinës luajnë ndaj atyre të Skenderajt?

Thaçi: Kohë pas kohe e përcjell edhe ecurinë e Superligës së futbollit në Kosovë. Në rrethanat në të cilat është sporti në vendin tonë, mendoj se fokus i të gjithëve duhet të jetë organizimi sa më cilësor i ndeshjeve dhe ngritja e cilësisë së përgjithshme të lojës. Në këtë mes, para së gjithash, unë jam tifoz i lojës fer, sepse ashtu fitojnë të gjithë. Më vjen mirë që futbolli është i zhvilluar në të gjitha komunat e Kosovës.

A jeni gëzuar më shumë kur Majlinda Kelmendi u shpall Kampione e Botës dhe Evropës, apo dikur kur boksieri Luan Krasniqi i nokautonte kundërshtarët?

Thaçi: Luan Krasniqi në kohën e tij ka qenë ndër të vetmit që me talentin e tij na ka bërë që të kemi emocione të veçanta. Sot, këtë po e bën edhe boksieri tjetër kosovar, Haxhi Krasniqi, të cilin e takova dhe e urova për sukseset e tij para disa ditësh. Por, më duhet të them se Majlinda Kelmendi ka bërë atë që asnjë sportistë tjetër shqiptar s’e ka bërë më parë, ka arritur majat e suksesit sportiv botëror. Majlinda është një shembull brilant i një vajze të talentuar, që me punë dhe përkushtim të pashoq ka lartësuar emrin e saj, por edhe të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ndjehem shumë mirë që e kemi mbështetur në çdo hap të rrugëtimit të saj dhe do të vazhdojmë të mbështesim të gjithë talentët.

A e njeh mirë gjendjen e sportit kosovar? Cila është ajo dhe çka duhet bërë për ta çuar atë përpara?

Thaçi: Mendoj se e njoh. Unë jam shumë shpesh afër sportistëve, klubeve dhe federatave të ndryshme. Po ashtu, ministri Memli Krasniqi më mban të informuar në vazhdimësi për zhvillimet, por edhe për sfidat që kemi. Mendoj se në këto tre vjet janë bërë përparime të mëdha, si në aspektin e ndërkombëtarizimit të sportit, ashtu edhe në investimet në infrastrukturën sportive. Natyrisht, sfida mbesin por edhe përkushtimi ynë për të çuar sportin përpara rritet çdo ditë. Ne kemi tash një stadium që plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare në futboll. Kemi palestra shumë të mira, ku po zhvillohen gara ndërkombëtare dhe po investohet edhe në aspekte të tjera në organizim. Mbesin ende sfida në këtë rrafsh, por ne kemi projekte gjigante. Tash ne jemi të gatshëm të investojmë në renovimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë. Po ashtu, do te vazhdojmë me projektin gjigant të ndërtimit të Stadiumit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, me kapacitet prej 25 mijë deri në 30 mijë ulëse. Do të jetë një nga stadiumet më moderne në Ballkan. Vendimi tashmë është marrë dhe shumë shpejt do të fillohet me hapat e parë të realizimit të projektit. Ajo çka mendoj se nevojitet është një bashkëpunim më i mirë ndërmjet të gjithë akterëve të përfshirë në sport, si klubet, federatat, shoqatat, etj. Të punojmë për ngritje të cilësisë së garave, për organizim sa më cilësor, por edhe për masivizimin e sportit. Ndër tjera, si Qeveri e kemi vendosur në prioritete edhe sportin shkollor. Ne e kemi përkrahur shumë në këto tre vjet këtë fushë dhe mendoj se federatat duhet të punojnë edhe më shumë në këtë drejtim, për të masivizuar edhe më shumë sportin dhe për të nxjerrë edhe më shumë talentë.

Çfarë po bën konkretisht Thaçi rreth ndërkombëtarizimit të sportit kosovar?

Thaçi: Unë kam mbështetur të gjitha iniciativat e Ministrisë së Sportit dhe të institucioneve të tjerë përgjegjëse në këtë drejtim, por edhe personalisht kam pasur në vazhdimësi komunikime me drejtues të institucioneve e të federatave të ndryshme ndërkombëtare. Siç e dini, kam shkëmbyer letra edhe më kreun e FIFA-s, Sepp Blatter për lejimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, por kam pasur takime dhe komunikime edhe me drejtues të tjerë të federatave ndërkombëtare dhe të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Edhe në rrafshin politik dhe diplomatik, shumë herë e kam ngritur çështjen e ndërkombëtarizmit të sportit tonë në nivelet më të lartë politike evropiane dhe ndërkombëtare.

Kosova tashmë po zhvillon ndeshje miqësore ndërkombëtare me leje të FIFA-s. A planifikon t’i takosh Sepp Blatterin (president i FIFA-s) e Michel Platinin (president i UFA-s), për të diskutuar rreth anëtarësimit të plotë të Kosovës në FIFA e UEFA?

Thaçi: Ne e respektojmë pavarësinë e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ky është një kriter ndërkombëtar që federatat të jenë autonome në veprimet e veta. Gjithsesi, në çdo rrethanë që kërkohet, si deri tash, ashtu edhe në të ardhmen, mbështetja jonë për FFK-në është e plotë dhe unë jam i gatshëm të angazhohem në vazhdimësi për realizimin e të drejtave të FFK-së dhe të futbollistëve tanë.

Në cilin vit besoni se Kosova do të garojë në eliminatore për Botëror apo Evropian?

Thaçi: Shpresa ime është që Përfaqësuesja e Kosovës do të mund të garojë në eliminatoret për Kampionatin Botëror të vitit 2018. Këtë e bazoj edhe në informatat që kemi, por edhe në punën që planifikohet të bëhet në fazën e ardhshme për avancimin e statusit të FFK-së në FIFA.

A beson se Shaqiri, Xhaka, Behrami, Januzaj, etj do t’i bashkohen Kosovës?

Thaçi: Mendoj se këtë çështje duhet ta trajtojmë menjëherë pas pranimit të FFK-së në FIFA. Ata janë djem të Kosovës. I kanë dhënë imazh brilant vendit dhe popullit tonë dhe po ashtu, e kanë ndihmuar sportin dhe sportistët tanë. Unë jam shumë i lumtur dhe krenar me suksesin e tyre. Në çfarëdo rrethane ata i përkasin Kosovës dhe unë i mbështes ata çdo herë. Jo vetëm këta që i përmendët, por edhe dhjetëra super-talentë të Kosovës që na përfaqësojnë anekënd botës.

Shqiptarët me një apo dy Kombëtare?

Thaçi: As këtu nuk kemi dilema. Kosova është shtet dhe ne e kemi tashmë edhe zyrtarisht Përfaqësuesen tonë në futboll. Aty ka vend, pa dallim, për të gjithë ata djem dhe vajza që duan të mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës. Ata përfaqësojnë pasionin e rinisë sonë, por edhe imazhin e shtetit më të ri në Evropë. Dua të them se nuk ka më mirë se të kesh dy ekipe të zemrës, tonat, që në të ardhmen do të garojnë për Kampionat Evropian dhe Botëror.

Kush mendon se do të fitojë në ndeshjet: Serbi – Shqipëri dhe Shqipëri – Serbi?

Thaçi: Patjetër që pres që të fitojë Shqipëria, por e rëndësishme është që ndeshjet të përçojnë mesazhin e paqes.

Zgjedhjet po afrohen. Ju jeni të bindur në fitore. Nëse kjo ndodh, atëherë a do të vazhdojë Memli Krasniqi ta udhëheqë Ministrinë e Sportit?

Thaçi: Qeveria ime ka bërë ndryshime rrënjësore, duke u nisur nga praktikat më të mira evropiane. Kemi instaluar një model të ri të qeverisjes së mirë dhe të përkushtimit dhe përgjegjësisë ndaj punës. Ministri Krasniqi ka bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë mandat dhe për këtë besoj dëshmitarët më të mirë janë vetë sportistët. Më vjen mirë, që edhe personalisht kam qenë i përfshirë në shumë projekte të ndërlidhura me sportin. Unë jam i sigurt se ne do të qeverisim vendin edhe në katër vitet e ardhshme. Fokusi ynë i ardhshëm është zhvillimi i hovshëm ekonomik, por komponentë i rëndësishëm do të vazhdojë të jetë edhe sporti. Unë ju siguroj se Qeveria e ardhshme do të ketë njerëz të dëshmuar dhe me vizion të qartë.

A është premtim elektoral apo vendosmëri e juaj ndërtimi i stadiumit kombëtar?

Thaçi: E thash edhe më herët. Tashmë është vendim i Qeverisë, me buxhet të planifikuar për tri vitet e ardhshme. Do të sigurohemi që të kemi stadiumin më modern në Ballkan, që jam i bindur se do të përjetojmë emocione të shumta pozitive.

Stadiumi i Prishtinës?

Thaçi: Ne e kemi shprehur gatishmërinë qysh moti për të investuar në stadiumin e Prishtinës. Kemi kërkuar nga Komuna e Prishtinës, që si pronare e stadiumit, të tregojë nëse është ajo e gatshme të bashkë-investojë, në këtë projekt shumë të rëndësishëm. Vendosmëria jonë për të investuar në stadiumin e qytetit në Prishtinë, është e palëkundshme.