Kështu e pasqyruan mediet e huaja debutimin e Shqipërisë në Euro 2016

“Krenaria shqiptare nuk mjaftoi ndaj Zvicrës”. Titulli i përdorur nga gazeta spanjolle, Marca ishte simbolika më e përshtatshme për debutimin historik të Kombëtares kuqezi në një turne madhor.

Sport

12/06/2016 08:54

E përditshmja madrilene theksonte se goli i shpejt i pësuar dhe kartoni i kuq i Lorik Canës nuk mjaftuan që Shqipëria të dorëzohej, ndërsa në fund rrjeta e Schar në minutën e 5-të vendosi një sfidë emocionuese.

Spanjollja tjetër, AS, e cilësoi portierin “Etrit Berisha fajtor dhe njëkohësisht hero”, për faktin se gardiani gaboi në rastin e golit vendimtar të zviceranëve, por shpëtoi portën e tij në disa raste, duke mbajtur në lojë Shqipërinë, që në fund edhe mund të kishte barazuar.

Sipas italianes “Gazzetta dello Sport”, nga gafa e Berishës përfitoi Schar që shënoi, ndërsa debutimi i Shqipërisë dhe De Biasit ishte i pafat, prej gabimit në momentin e golit, kartonit të kuq të Canës në minutën e 37-të dhe golit të barazimit të mundshëm 1-1 të shpërdoruar nga Shkëlzen Gashi 3 minuta përpara fundit të kohës së rregullt.

Duke iu referuar lojtarëve kuqezi, “Gazzetta” theksonte se “hero mund të jesh edhe nëse humbet”, duke e vendosur theksin te një sfidë tërheqëse, nga dueli i vëllezërve Xhaka, te shqiptarët e rritur në Zvicër, shqiptarët që përfaqësojnë skuadrën helvete, por pushtimin paqësor të mijëra tifozëve në Lens. Përveçse theksoi se gabimet ishin fatale për të besuarit e De Biasit, e përditshmja më e madhe sportive në Itali shkruante “Barazimi mund të shpaguante kurajën dhe zemrën e shqiptarëve, që në aspektin teknik ishin më inferiorë se rivalët, por të pakrahasueshëm në gjithçka tjetër”, me tifozët që në fund duartrokitën heronjtë e tyre, transmeton Supersport.

Sipas “La Repubblica”: Zvicra feston, Schar thyen Shqipërinë, me gazetën që theksoi se ndeshja e parë e kuqezinjve në Kampionatin Europian ishte një provë krenarie.

Për zviceranët, fitorja e parë në sfidën hapëse të Europianit, prej pjesëmarrjes që nisën në vitin 1996 nuk ishte aspak e lehtë. Gazeta Blick theksonte se për të festuar 3 pikët ndaj Shqipërisë, u vunë në provë nervat e tifozëve zviceranë, për një përballje që edhe mund të mos ishte fituar.

Për francezen “L’Equipe”, kundërshtarët e radhës së Shqipërisë në Grupin A, “Zvicra bëri atë që duhej”, duke fituar ndeshjen e parë në Euro 2016.

Rumunët e “ProSport” transmetonin thjesht se Shqipëria u mposht 1-0 nga Zvicra, citonte fjalë të trajnerit De Biasi, sipas të cilit Zvicra dhe Rumania do të luftojnë për vendin e dytë, por Shqipëria nuk dorëzohet.

“Daily Mail” shkruante për startin fitues të zviceranëve, përballë Shqipërisë me 10 lojtarë, ndërsa me Granit Xhakën që u shpall “Lojtari i Ndeshjes”, tifozët e Arsenalit kuptuan kualitetin e lojtarit që kushtoi plot 45 milionë euro.

Gazeta britanike e vendosi theksin edhe te fakti se megjithë distancën prej më tepër se 800 kilometra ndërmjet dy vendeve, Shqipëri-Zvicër ishte derbi i parë në Euro 2016 falë lidhjeve të pazakonta etnike ndërmjet dy skuadrave.
Në fund, edhe UEFA konfirmoi vështirësitë e helvetëve për suksesin ndaj kuqezinjve. “Zvicra rezistoi përballë Shqipërisë me 10 lojtarë”, ishte titulli i përdorur nga faqja zyrtare e Konfederatës Europiane të Futbollit.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.