Spitali “Eda” licencohet sërish jashtëligjshëm nga Ministria!
Ministria e Shëndetësisë për herë të dytë e ka shkelur ligjin me licencimin e spitaleve private, duke i dhënë të drejtë operimi “Eda-Intermedit”, që nga organet e drejtësisë, nga tetori i vitit të kaluar është duke u hetuar për shumë aktivitete të dënueshme.

Lajme
Ministria e Shëndetësisë arsyetohet se ky spital është licencuar në bazë të kritereve të Udhëzimit Administrativ me numër 08-2007, shkruan sot Koha Ditore.
Por, akti juridik të cilit i referohet kjo ministri i ka të përcaktuara kriteret të cilat nuk i përmbush spitali “Intermed” (Eda), përfshirë shërbimin e domosdoshëm të kardiokirurgjisë.
Gazeta ka provuar disa herë gjatë ditës së hënë të kontaktojë me zyrtarë të spitalit “Intermed”.
Punëtorja e spitalit, e cila u është përgjigjur telefonatave, ka thënë që ende nuk kanë menaxher të spitalit i cili do të fliste për këtë çështje. Ndërsa kanë thënë që ditët në vijim mund të flasë infermierja kryesore e spitalit.
Mungesa e kardiokirurgjisë në Spitalin Special për Sëmundje Kardiovaskulare ishte njëra nga arsyet që këtij spitali i ishte pezulluar puna.