Spitalet e QKUK-së me dhoma të veçanta “VIP” (Foto)

Në spitalet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ndodhen dhoma të veçanta, për pacientë të veçantë. E këta pacientë të veçantë shpeshherë janë njerëz të politikës, të artit.

Lajme

29/09/2015 10:11

Këto dhoma të veçanta, ose të njohura si dhoma ‘VIP’ për nga pamja nuk dallojnë shumë nga të tjerat, por megjithatë në to i sëmuri ‘VIP’ ka qetësi, trajtimi është më i veçantë, kanë TV dhe i lejohet përcjellës në dhomë.

Por në këto dhoma “VIP” thuhet se vendohen edhe rastet kur janë tepër të rënda. Kështu ndodhi në Natën e Bajramit kur u shtrua në spitalin e Gjinekologjisë Obstetrike një 21 vjeçare Bajramshah Tahiri nga Podujeva, në gjendje shoku.

DHOMA VIP

Për Telegrafin u prononcua edhe babai i pacientes, Jajush Avdiu i cili me gëzim të madh për shpëtimin e jetës së vajzës së tij iu falënderua doktorëve dhe ekipit mjekësor.

Intervenimi erdhi nga profesori Fehmi Zeqiri, të cilin operacion me shumë vështirësi e kaloi me sukses së bashku me ekipin e tij mjekësor.

“Më lajmëruan për rastin natën e Bajramit, dhe kam ardhur për të intervenuar. Çdo gjë kaloi me shumë sukses. Bajramshah e ka pasur gjendjen shumë të rëndë, ka marr gjithsej 30 doza gjak, dhe tash është nën kontrollin tonë”, ka thënë Zeqiri .

Drejtoresha e spitalit të Gjinekologjisë Obstetrike, Myrvete Paçarada, në një deklaratë për Telegrafin tha se në repartin e Gjinekologjisë Obstetrike ekziston një dhomë e veçantë për raste të veçanta, por sipas saj, jo për persona të veçantë.

“Ne punojmë vetëm për raste. Ajo dhomë është e dedikuar për pacient që kanë nevojë për kujdes të shtuar, p.sh persona që kanë lindur pas 25 viteve, persona të burgosur që i sjellin në përcjellje, persona që kanë nevojë për përkujdesje të shtuar”, u shpreh ajo.

Paçarada shtoi se nëpër dhomat e zakonshme i kanë nga tri krevate, por sipas saj në këto dhoma nuk lejohet përcjellës, pasi atëherë do të krijohej një ambient jo i mirë për qetësinë e pacientit.

“Kemi dëshirë që ta kemi secilën dhomë me mundësi për përcjellje të personave të afërt mirëpo këto janë kushtet që mund t’ua ofrojmë për momentin. Në këto dhoma kur kemi nevojë edhe për intervenime në kirurgji i thërrasim mjekët, por gjithashtu edhe internistë, thjesht janë raste që duhet të kemi përkujdesje të shtuar. Pacientët mund të kërkojnë sa të duan një dhomë të veçantë por këtu nuk ka tretman të veçantë për askënd. Nuk kemi dallim. Secili repart e ka një dhomë. Nuk ka pagesë të veçantë. Për ne krejt pacientët janë VIP. S’ka mjek të veçantë, s’ka trajtim të veçantë secili që vjen te ne është i rëndësishëm dhe trajtohet njëjtë”, tha tutje ajo.

DH

Por, Paçarada pohoi se kjo dhomë që e quajnë të veçantë, e disa të tjerë dhoma ‘VIP’ kur është e lirë shfrytëzohet edhe për persona të artit, politikës etj.

Telegrafi gjithashtu kontaktoi edhe me zyrën e Drejtorisë së SHSKUK, e cila sqaroi se objektet fizike të QKUK-së, të cilat i shfrytëzojnë aktualisht klinikat e QKUK-së janë të vjetra, të ndërtuar me plane arkitektonike që më herët dhe që atëherë në kuadër të disa objekteve janë paraparë apartmane.

“Apartmane ka në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, Otorinolaringologji, Kardiologji, Neurologji, Klinika infektive, dhe disa klinika të tjera. QKUK nuk ka mundësi të paguaj hotel për stafin e huaj akademik që ligjërojnë në Kosovë dhe mjekët e huaj që kryejnë intervenime në QKUK dhe i shfrytëzojnë ato”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas njoftimit ato shfrytëzohen edhe në rastet kur bëhet fjalë për pacientë VIP që të mos bien në kontakt direkt me palët dhe pacientët tjerë.