Spekulimet për shkarkimin e Valverde – Flet edhe presidenti i Barcelonës

Humbja 4:0 nga Liverpool në ndeshjen e kthimit, në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, ka lëkundur fort ‘rrënjët’ e Ernesto Valverdes në ‘Camp Nou’.

Sport

16/05/2019 17:15

Zëra të shumtë që nga fundi i asaj ndeshje kanë thënë se ky do të jetë fundi i trajnerit me skuadrën katalane.

Gjithsesi, presidenti Josep Bartomeu ka dhënë mbështetjen e tij për Valverde, duke thënë se nuk ka asnjë plan që të shkarkojë spanjollin.

Ai ka mbështetur plotësisht trajnerin, duke thënë se ai është ‘trajneri që Barcelona e do’.

“Valverde ka thënë se ai ka mbështetjen e presidentit dhe bordit. Ai është trajneri që ne duam” ka thënë presidenti për ‘Kubala’, transmeton lajmi.net.

“Ne jemi në gjysmën e rrugës së projektit. Ai ka një kontratë dhe ne jemi shumë të lumtur me të. Tani ka të bëjë vetëm me mënyrën se si lojtarët do të rikuperohen pasi atij hapi mbrapa” ka thënë tutje Bartomeu.

“Kemi pasur sezon të jashtëzakonshëm, kemi fituar ligën. Të gjithë duam më shumë. Tani kemi finalen e Kupës së Mbretit, ku vijmë të dëmtuar nga një humbje e dhimbshme” ishin fjalët e tij.

Valverde ishte emëruar trajner i Barcelonës pas sukseseve të Luis Enrique, në vitin 2017, dhe që atëherë ka fituar La Ligan dhe Kupën e Mbretit.

Së fundmi janë përmendur emra si Ronald Koeman apo Erik Ten Hag si mundësi për ta zëvendësuar atë, por fjalët e Bartomeut duket se e mbajnë Valverden në ‘Camp Nou’ /Lajmi.net/