Spekulimet e gabuara politike

Sistemi politik në Kosovë është sistem tipik i demokracisë parlamentare, ku gjithçka, sa i përket krijimit të institucioneve qendrore të Kosovës, është në dorë të Kuvendit.

Lajme

09/01/2020 11:20

Shkruan: Blerim Shala

Që prej mëngjesit të 7 tetorit, kur u bënë pak a shumë të ditura rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, nuk kanë pushuar interpretimet nga më të ndryshme të rezultatit të votimeve të shtata të përgjithshme në Kosovë, prej nëntorit të vitit 2001 e deri në tetorin e vitit 2019.

Megjithëse së paku në këtë aspekt, shpjegimi dhe analiza politike bazohet në statistikë, në numra, apo, ajo do të duhej t’i shmangej spekulimeve dhe hamendësimeve, në masë të madhe jemi përballë pikërisht me këtë dukuri, që ka sipërfaqësuar interpretimet që nuk bazohen as në rezultatin e zgjedhjeve, dhe as në kornizën ligjore ekzistuese të Kosovës.

Dy partitë që kanë qenë në opozitë në dy vitet e kaluara të legjislacionit të gjashtë  (apo, Lëvizja ‘Vetëvendosje’ dhe LDK), janë padyshim fituese të këtyre zgjedhjeve, edhe pse realisht, ato kanë marrë më pak mandate se në zgjedhjet e vitit 2017, sikurse partitë që dy vjet më parë përbënin PAN-in, tani veç e veç kanë marrë më shumë mandate, se kur ishin së bashku.

Në anën tjetër, sistemi politik në Kosovë, ky që është sot, është sistem tipik i demokracisë parlamentare, ku gjithçka, sa i përket krijimit të institucioneve qendrore të Kosovës, është në dorë të Kuvendit të Kosovës dhe të përbërjes së tij, e cila reflekton rezultatin e zgjedhjeve.

Nuk kemi ne në Kosovë zgjedhje të drejtpërdrejta, as për Presidentin e Kosovës, as për Kryeministrin e Kosovës.

Interpretimet që vazhdojnë të bëhen në këtë aspekt, kur bëhet fjalë për postin e Kryeministrit, janë krejtësisht simbolike, apo, ato nuk kanë kurfarë vlere ligjore në Kosovë.

E njejta mund të thuhet edhe për shpjegimet për kandidaturën eventuale për Presidentin e Kosovës, i cili  (apo e cila), siç po thuhet, duhet të jetë figurë përbashkuese, madje, konsensuale.

Diçka e tillë në Kosovë është e pamundur. Presidenti bëhet figurë që përfaqëson unitetin politik, pasiqë të zgjedhet në këtë post shumë të rëndësishëm, e jo para se ta merr mbështetjen në Kuvendin e Kosovës.

Në anën tjetër, për shkak që në Kosovë tutje është në fuqi Sistemi i pastër proporcional zgjedhor, së bashku me ato njëzet mandatet e garantuara për komunitetet, në atë tërësinë e ulëseve të Kuvendit prej 120 mandateve, nuk mund të ketë fitues të mirëfilltë të zgjedhjeve, ku fitorja do të nënkuptonte marrjen e shumicës së mandateve, apo, të 61 prej tyre.

Pra, çdo fitore në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë  (për dallim prej garës për Kryetarin e komunës), është fare relative, dhe këtu bën pak punë a janë marrë 47 mandate  (siç ka ndodhur me LDK-në, kur udhëhiqej nga Presidenti Rugova), apo 29 mandate (siç është rasti me ‘Vetëvendosjen’, në zgjedhjet e fundit).

Në te dy rastet, ngadhjimi elektoral ka fuqinë e marrjes së mandatit për ta bërë Qeverinë e re të Kosovë, ku krijimi i koalicioneve qeverisëse, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të komuniteteve, është i pashmangshëm apo i domosdoshëm.

Situata në këtë aspekt do të mund të ndryshonte shumë, nëse Sistemi i pastër proporcional do të zëvëndësohej me një Sistem mazhoritar.

Që prej vendosjes së demokracisë parlamentare në Kosovë, në vitet e paqes, faktori ndërkombëtarë që ka qenë vendimmarrës në atë kohë, ka vlerësuar që skena politike kosovare ka nevojë për një organizim që e bën të paevitueshëm kompromisin politik dhe partneritetin në mes të partive kryesore shqiptare, gjithsesi duke ofruar edhe të gjitha garancat e mundshme për përfaqësimin e komuniteteve.

Nëse politikanët dhe partitë kosovare tani vlerësojnë që ka ardhë koha të ndryshohet ky model i demokracisë parlamentare në Kosovë, do të mund të bëheshin ndryshimet kushtetuese dhe ligjore në drejtim të krijimit të rrethanave legale, kur do të mund të shfaqej skema e qartë e fituesve në zgjedhje, e cila aktualisht është e pamundur.

Sidoqoftë, derisa të mos ndodhë diçka e tillë, nuk mund të ketë lexim tjetër të rezultatit të zgjedhjeve, dhe as të kornizës legale, pos atij që dëfton që fitoret në zgjedhje janë krejtësisht relative, dhe që koalicionet janë të pashmangshme, ku ai fituesi i parë relativ, në aspektin legal dhe politik, ka të drejtën që ta bëjë Qeverinë me partnerin të cilin e preferon, me kusht që të mbërrijë tek ai numri i veçantë me të cilin sigurohet mbështetja e së paku 61 deputetëve për Qeverinë e re të Kosovës. /Lajmi.net/