Specialja vihet në lëvizje pas vrasjes së Nazmi Rrustemit, po kërkon oficerë për sigurinë e dëshmitarëve

Vrasja e Nazmi Rrustemit, për të cilin u raportua se ka qenë dëshmitar i Speciales, e ka vënë në lëvizje këtë institucion.

Lajme

22/01/2020 16:09

Si rrjedhojë, javët e fundit Specialja ka hapur konkurs për 33 vende të lira në këtë institucion, shkruan lajmi.net.

Të gjithë të rekrutuarit, do të jenë staf ndërkombëtar, në bazë të ligjit për dhomat e Specializuara të Tribunalit dhe Prokurorisë i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Sidoqoftë, në konkursin të cilin e ka parë lajmi.net, vërehet se Specialja është duke kërkuar edhe oficerë për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Afati i fundit për aplikuesit në këtë konkurs është 24 janari, që do të thotë pas dy ditësh.

Aty shihet se Specialja ka shpallur konkurs për vende pune si: zyrtar gjyqësor, asistent administrativ, përkthyes gjyqësor për gjuhën shqipe dhe serbe, përkthyes për gjuhën shqipe dhe serbe, asistentë reference dhe terminologjie, asistentë operativ, oficer sigurie, oficer protokolli, psikolog, asistent për transkripat e gjykatës, asistent financiar, oficer sigurie për dëshmitarë, prokuror e pozita të tjera të përshkruara.

Megjithëse nuk dihet data e saktë e shpalljes së konkursit, çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve ka qenë  temë aktuale kohëve të fundit, pas vrasjes së inspektorit të Pyjeve në Prishtimë, Nazmi Rrustemi, i cili u raportua se disa muaj para vrasjes kishte dhënë dëshmi para hetuesve të Speciales në cilësinë e dëshmitarit.

Specialja edhe në vitin 2020 e ka nisur me vrullin e njëjtë të ftesave, teksa së fundmi në Hagë janë thirrur edhe dy deputetët e PDK-së, Elmi Reçica dhe Ferat Shala. /Lajmi.net/