Specialja i la pa gjumë vendorët dhe ndërkombëtarët

Një zyrtar i lartë ndërkombëtar në Kosovë ka deklaruar për Klan Kosovën se ishin dy arsye pse nuk u votua Gjykata Speciale në seancën e sotme në Kuvend.

Lajme

29/05/2015 18:48

Zyrtari konfirmoi se sot nuk ishin siguruar votat e duhura “pro”, dhe se ka pasur mospajtime të theksuara mes vendorëve dhe të huajve mbi tekstin e ligjit për Speciales.

Mbi të gjitha, ky burim që foli me kusht anonimiteti për Klan Kosova, e konfirmoi se efektin më të madh në atë që ndodhi sot e pati vendimi i gjykatës për Rastin Drenica.

Televizioni ka mësuar se përfaqësues të BE-së kishin punuar gjatë tërë natës së kaluar me përfaqësuesit e qeverisë për të arritur një pajtim në lidhje me tekstin e draftit të dokumentit që do të vihej në votim sot në Kuvend – gjë që nuk u arrit.

Një burim tjetër nga Qeveria ka thënë se ndërkombëtarët dështuan të sjellin një version final dhe të pranueshëm të draftit për ligjin e speciales.

Por, zyrtari ndërkombëtar ka theksuar se “kosovarët e dinë mirë se cilat kanë qenë komentet tona për ligjin”.

I njëjti ka thënë se nuk beson se gjykata do të votohet në fillim të javës së ardhshme.

“Do të pritet edhe disa ditë për t’i parë efektet e Rastit Drenica”.