SPAL me befasinë e javës, merr fitore në udhëtim tek Atalanta

Skuadra e SPAL është kujdesur që të dhurojë befasinë e javës në futbollin evropian.

Sport

20/01/2020 22:39

Skuadra që pozicionohet në vendin e parafundit në klasifikimin e Serie A, ka arritur të marrë fitore 1:2, kundër Atalanta, shkruan lajmi.net.

Atalanta kaloi në epërsi qysh pas minutës së 16’, kur Josip Ilicic gjeti rrugën e golit, por këtë epërsi ata nuk ishin të aftë ta ruajnë.

Mysafirët gjetën dy herë rrugën e golit në pjesën e dytë, duke marrë tri pikët, për befasinë e javës.

Fillimisht, ishte Andrea Petagna, i cili në minutën e 54’ arriti të barazonte shifrat në 1:1.

Epërsinë e SPAL dhe përmbysjen e Atalantës e bëri Mattia Valoti, me golin e shënuar në minutën e 60’.

30 minuta nuk mjaftuan për Atalanta që të reagonte dhe tashmë ata mbeten me 35 pikë në pozitën e pestë. SPAL në anën tjetër ka 15 pikë, në pozitën e parafundit. /Lajmi.net/