Sot vendoset për 10 minutat e Lushtakut

Lirimi i Lushtakut është kërkuar nga avokati mbrojtës i tij, Arianit Koci, gjatë seancës fillestare të 15 të dyshuarve të “Grupit të Drenicës”, të mbajtur të premten e kaluar, në të cilën të gjithë të akuzuarit u deklaruan plotësisht të pafajshëm.

Lajme

09/12/2013 08:42

Kryetari i Trupit Gjykues në rastin e “Grupit të Drenicës”, Dariusz Sielicki, pritet të vendosë sot për liriminose jo të Kryetarit të rizgjedhur të Skenderaj, Sami Lushtaku, për ta bërë betimin para Asamblesë Komunale.

Lirimi i Lushtakut është kërkuar nga avokati mbrojtës i tij, Arianit Koci, gjatë seancës fillestare të 15 të dyshuarve të “Grupit të Drenicës”, të mbajtur të premten e kaluar, në të cilën të gjithë të akuzuarit u deklaruan plotësisht të pafajshëm për akuzën që u ngarkohet.

Kryetari i Trupit Gjykues në rastin e “Grupit të Drenicës”, Dariusz Sielicki, ka thënë se vendimin për kërkesën e mbrojtjes do të merret të hënën.

Lushtaku megjithëse ishte në paraburgim u kandidua edhe për një mandat nga partia e tij për Kryetar të Skenderajt dhe fitoi bindshëm garën, me mbi 80 për qind të votave.

Por, Skenderaj rrezikon që të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryetar Komune nëse Lushtaku nuk arrin të dalë për betim para Asamblesë Komunale para datës 20 dhjetor.

Javën e kaluar, edhe Dega e PDK’së në Skenderaj pati kërkuar nga EULEX’i që ta lirojë vetëm për 10 minuta kryetarin e saj, sa për ta bërë betimin para Asamblesë dhe për t’i ikur zgjedhjeve të reja në komunë.