Sot vendoset nëse Blerim Shala do të vazhdojë pjesëmarrjen në bisedime me Serbinë

Sot mbahet seancë e rregullt e Kuvendit të Kosovës ku pas pyetjeve parlamentare si pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajme

16/04/2015 11:05

Me këtë marrëveshje Kosova synon ta përmirësoj pajtueshmërinë e rregulloreve tatimore në nivel ndërkombëtar dhe zbatimin e rregulloreve FATCA.

Në seancën e sotme do të jetë pikë e rendit të ditës edhe emërimi i anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim, emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

E si pikë e rendit të ditës do të jetë edhe propozimi i Grupit parlamentar të PDK-së dhe të LDK-së për caktimin e deputetit, Blerim Shala, në delegacionin e Qeverisë së Kosovës për bisedime me Serbinë.