Sot vazhdojnë bisedimet për Iranin

Deri në fund të muajit mars pritet të arrihet marrëveshje me synim që të tejkalohen dallimet midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Bota

15/03/2015 12:22

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë në prag të bisedimeve të sotme me ministrin e Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif, se është e mundur që në “ditët e ardhshme” të arrihet marrëveshja kornizë me Iranin, nëse ky i fundit dëshmon se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.

Kerry takon sot në Lozanë të Zvicrës ministrin Zarifi, me synimin për të tejkaluar dallimet e mbetura midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore, transmeton REL.

Negociatorët kanë caktuar fundin e marsit si afat për arritjen e marrëveshjes kornizë dhe fundin e qershorit për marrëveshjen finale.

Fuqitë botërore duan që Irani të frenojë aktivitetet bërthamore – për të cilat druajnë se kanë qëllim krijimin e armës atomike – në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Kerry ka thënë se është bërë përparim drejt marrëveshjes, porse “hendeqe të rëndësishme” vazhdojnë të mbesin.