Superliga sjell dy duele, Arbëria-Feronikeli dhe Drenica-Gjilani

Superliga e Kosovës vazhdon edhe sot me ndeshje interesante.

Sport

01/03/2021 08:54

Superliga e Kosovës në futboll do sjell edhe sot dy duele mjaft interesante në kuadër të xhiros së 22-të, transmeton lajmi.net.

Arbëria do të presë Feronikelin, djemtë e Arbnor Morinës po kërkojnë të rikthejnë formën që patën para pushimit dimëror.

Arbëria në pesë ndeshjet e fundit ka regjistruar dy barazime, dy humbje dhe një fitore, ata gjenden në pozitën e shtatë me 25 pikë.

Në anën tjetër, Feronikeli po ka probleme ta gjejë formën nën urdhërat e trajnerit Klodian Duro. “Nikli” qëndron një pozitë më poshtë se Arbëria me 24 pikë, ata në pesë ndeshjet e fundit kanë tre humbje, një fitore dhe një barazim.

Dueli tjetër mjaft interesant është ndërmjet Drenicës dhe Gjilanit.

Gjilani nën urdhërat e “Profës” është bërë një “halë në sy” për të gjitha skuadrat që pretendojnë titullin. Gjilani qëndron në pozitën e katërt me 31 pikë, duke regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje në pesë ndeshjet e fundit.

Në anën tjetër, Drenica kërkon qëndrimin në elitën e futbollit kosovar, ata mbajnë pozitën e nëntë me 23 pikë, duke regjistruar dy humbje, dy barazime dhe një fitore në pesë ndeshjet e fundit./Lajmi.net/