Sot rivarrosen 28 viktimat nga Rezalla e Skenderajt

Sot do të rivarrosen mbetjet mortore të 28 viktimave të luftës, nga fshati Rezallë I komunës së Skenderajt.

Lajme

05/04/2015 08:21

Po këtë ditë shënohet edhe 16 vjetori i masakrës së Rezallës, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 deri më tani ishin të pagjetur.

Aktualisht, pas identifikimeve të fundit, janë edhe 16 persona të pagjetur nga Rezalla, 8 prej të cilëve nga data 5 prill 1999, pra të zhdukur në të njëjtën datë më 28 personat që do të rivarrosen sot.

Trupat e tyre të pajetë u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve tre ditë më parë.

Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë, kryesisht burra e djem të rinj.

Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë./KosovaPress/