Sot rifillon mësimi në të gjithë vendin

Pas tre javësh grevë, sot të gjithë punëtorët e arsimit do t’i kthehen punës.

Lajme

04/02/2019 07:27

Që nga 14 janari i këtij viti, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), vendosi që të gjithë punëtorët e arsimit të hynin në grevë deri në plotësimin e kushteve që kërkonte kjo Sindikatë, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, që nga dita e sotme, pra pas tre javësh mësimdhënësit do t’i kthehen punës.

Kjo për faktin se të premten e javës së kaluar pra më 1 shkurt SBASHK-u hoqi dorë nga greva pasi arriti një marrëveshje me udhëheqësit e koalicionit qeveritar, shkruan më tutje lajmi.net.

Pas takimit që kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj kishte me kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj si dhe me ministrin e Financave Bedri Hamza, Jasharaj bëri të ditur se gjysmëvjetori i dytë do të fillojë sot.

“Marrëveshja është afër për çfarë kemi kërkuar. Gjysmëvjetori i dytë fillon të hënën”, kishte deklaruar Jasharaj.

Në anën tjetër, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ishte shprehur i lumtur pas këtij takimi.

“Jam i lumtur që nxënësit e Kosovës nga e hëna do t’iu kthehen shkollave dhe mësimit. Gjithë punëtorëve të sistemit të arsimit u janë rritur pagat dhe ashtu si kemi premtuar do t’i mbajmë premtimet. Pagat u janë rritur gjithë sektorëve të tjerë, që janë policia, shëndetësia, administrata publike, artistët, asamblistët e komunave, pensionistëve dhe gjithë punëtorëve të tjerë”, kishte deklaruar Veseli.

Mirëpo, se a do të zëvendësohen orët e humbura të mësimit kjo akoma nuk dihet. /Lajmi.net/