Sot raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut

Të dielën në Maqedoninë e Veriut mbahet raundi i dytë për kryetarë në 33 komuna, në të cilat nuk kishte fitues më 19 tetor. Të drejtë vote kanë 1 milion e 13 mijë e 375 qytetarë prej tyre 474.394 në Shkup. Në rrethin e dytë do të votohet në gjithsej 33 komuna përfshirë Qytetin e…

Lajme

02/11/2025 08:37

Të dielën në Maqedoninë e Veriut mbahet raundi i dytë për kryetarë në 33 komuna, në të cilat nuk kishte fitues më 19 tetor.

Të drejtë vote kanë 1 milion e 13 mijë e 375 qytetarë prej tyre 474.394 në Shkup. Në rrethin e dytë do të votohet në gjithsej 33 komuna përfshirë Qytetin e Shkupit. Në tri vendvotime në Shuto Orizare do të ketë rivotim për këshilltarë komunalë, pasi Gjykata Administrative i shfuqizoi rezultatet pas parregullsive të konstatuara.

Në katër komuna ku nuk u arrit census në raundin e parë, do të ketë përsëritje të zgjedhjeve, 60 ditë pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga zgjedhjet lokale. Bëhet fjalë për Gostivarin, Vrapçishte, Qendra Zhupa dhe Mavrovë- Rostusha.

Zyra e Avokatit të Popullit gjithashtu gjatë procesit të votimit, nga ora 07 deri në ora 19 do të ketë të hapur linjë telefonike falas për paraqitjen e shkeljes të së drejtës zgjedhore. Qytetarët këtë mund ta bëjnë në numrin e telefonit: 0800-54321.

Votimet do të vëzhgohen nga 1569 vëzhgues, 904 vendorë dhe 651 ndërkombëtarë, ndërsa për raportim janë akredituar dhe 14 gazetarë të huaj, raporton KosovaPress.