Sot për 4 orë ra shi 11 herë më shumë se gjatë shkurtit të vitit 2014

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së sotme për rreth katër orë pati reshje të shiut 11 herë më shumë se gjatë gjithë muajit shkurt të vitit të kaluar.

Lajme

06/02/2015 16:30

Reshjet e shiut që kanë rënë gjatë ditës së sotme për rreth katër orë, përveç që kanë shkaktuar probleme në rrugë, e rrezik për vërshime, kanë prodhuar edhe një të dhënë jo të zakonshme. 

Sasia e shiut që ka rënë sot, është më e madhe për 11 herë se në krahasim me sasinë e shiut që ka rënë gjatë tërë muajit shkurt të vitit të kaluar. 

Kjo është bërë e ditur nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHM). Sipas një komunikate për media të lëshuar nga ky institut, dita e nesërme mund të ketë edhe reshje të borës. 

“Vetëm gjatë 3 orë e 40 min., sa zgjatën sot reshjet e shiut, sasia mesatare në Kosovë ishte 45mm ose 45 litër për metër katrorë, derisa në vitin e kaluar gjatë gjithë muajit shkurt sasia e reshjeve ishte vetëm 4mm (4 litër për metë katror)”, thuhet në njoftim. 

Sipas këtij njoftimi, nga dita e nesërme e gjatë gjithë javës së ardhshme vendi ynë do të ndikohet nga këto masa të ftohta të ajrit të cilat burimin e kanë nga veriu dhe veriperëndimi i kontinentit. Temperaturat do të zbresin dukshëm nga -4C deri në -9C celsius. Do të fryj erë nga veriu dhe veriperëndimi me shpejtësi 3m/s deri 13m/s.