Sot mbahet konferencë për rastin e “Ujkut”

7:35 | 23 Shtator 2021

Pjeter-Shala

Gjykata Speciale do të mbajë sot konferencë ndaj Pjetër Shalës, i njohur si komandant “Ujku”.

Konferenca do të fillojë në ora 9:00.

Shala po akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për veprat penale ndalim arbitrar, torturë, trajtim mizor dhe vrasje në kohë të luftës.

“Ujku” ishte arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe ishte transferuar në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020 e të redaktuar më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.
Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Madje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.